IMG_9470

Ervin Salianji i është përgjigjur akuzave të kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili e akuzoi se po i shërben socialistëve dhe se do të ketë fatin e ish-kryetarit demokrat Lulzim Basha.

Salianji ironizoi Berishën duke e quajtur “Sali kolltuku” dhe theksoi se 36 vite në pushtet i kanë krijuar mendësinë se kushdo duhet të jetë skllav i tij.

Në reagimin e tij në FB, Salianji i kujtoi Berishës marrëdhëniet me kryeministrin Rama për reforma, leje dhe koncesione, duke e ftuar të flasë për çështje konkrete si Ermal Beqiri apo lejet e familjarëve në Lalëz e Tiranë.

Ai e akuzoi gjithashtu për ndërhyrje në gjykatë për dënimin e tij dhe për pazare të brendshme.

Reagimi:

Përgjigje Sali kolltukut; 36 vite në pushtet në kurriz të demokratëve i kanë krijuar mendësinë që kushdo ka detyrim të jetë skllav i tij.
Nuk ka asgjë më të vjetër në politikë sesa kur dikush që ka humbur lidhjen me realitetin përpiqet të shpikë armiq për të fshehur frikën nga gara.

Të më krahasosh me këdo tjetër është mënyra më e lehtë për të shmangur thelbin: sot problemi nuk janë demokratët që duan fitore, por fakti që një pjesë e lidershipit ka humbur besimin e njerëzve dhe po i trembet çdo zëri ndryshe.

Unë nuk kam përfunduar në “krahët” e askujt. Isha dhe jam i lirë, siç edhe sot po them atë që të gjithë mendojnë: e përbuzin Sali kolltukun për uzurpimin që i ka bërë Partisë Demokratike, por e shajnë me rrënjë e degë vetëm në tavolina. Nuk kam qenë dhe nuk do të jem kurrë pjesë e pazareve. Kam qenë përballë pushtetit, jo në shërbim të tij. Dhe për këtë kam paguar çmim personal.

Ata që sot flasin për “fate” të të tjerëve duhet të shohin fatin e tyre politik: një lidership që nuk frymëzon më, që nuk fiton më dhe që i shmanget çdo përballjeje reale.

Kur nuk ke përgjigje për dështimin, shpik histori.
Kur nuk ke mbështetje, sulmon këdo që ngrihet.

Të kuptoj që unë jam problemi yt, sepse me Ramën je ulur këmbëkryq për reforma, je ulur për leje, licenca, koncesione, përfitime. Dil e fol për Ermal Beqirin, për lejet e familjarëve të tu në Lalëz, në gjysmën e Tiranës, në jug e kudo në Shqipëri.

Sa për gysrat, pyet fare afër teje si i kanë ndarë pazaret, përfshirë edhe ndërhyrjen te gjykata për dënimin tim. Për Olti Gjoken që përmend, t’i themi disa gjëra: kur erdhe në burg, nuk erdhe të më takoje mua, por kërkove të takoje këta. Nuk është faji im që edhe këta i kishe gënjyer dhe nuk të dolën në takim.

Lulzim Bashën e solle e mbajte dhe ta fali partinë. Me mua i ke bërë hesapet gabim: do të çmontoj ty dhe autokratin e qeverisë. Regjimi Rama-Berisha është i përbuzur nga shqiptarët! Dhe meqë ke mbështetje, dil në garë, mos u fshih si frikacak.