Një hetim i ri i hapur nga prokurori i SPAK, Olsi Dado, duket se ka vënë nën ndjekje penale për “Pastrim të produkteve të veprës penale”, Artan Gaçin, burrin e ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka.
Por veç Agaçit, prokuroria e posaçme SPAK po kryen verifikime hetimore dhe ndaj gruas së tij, deputetes së PS, Olta Xhaçka, pasi dyshohet se ka të dhëna dhe indicie se edhe zyrtarja e lartë të jetë implikuar në këtë veprimtari, shkruan syri.
Rasti në fjalë është regjistruar pas daljes së provave hetimore të një hetimi tjetër, duke u zbuluar një seri transaksionesh bankare dhe njëherësh disa komunikime në aparate telefonike.
Ndërkohë gazetari i kronikës Xhevahir Zhabina në një dalje televizive tha se, zanafilla e hetimeve vjen nga shteti fqinj, Italia.
Zhabina: Ne kemi mundur të marrim veç pak detaje sepse bëhet fjalë për një dosje që ka mbërritur nga autoritetet italiane. Ajo përmban dyshime dhe akuza të rënda për pastrim parash dhe korrupsion. Dosja është e pamundur të aksesohet. Kjo është një çështje që prek disa drejtues dhe nuk është thjesht një problem i SPAK-ut apo i drejtësisë, ndaj do të presim për të marrë detaje të tjera.
Kujtojmë se para 1 viti, ndaj Artan Gaçit nisi një hetim nga prokurori Olsi Dado, i cili u vu në lëvizje pas një kallëzimi të bërë nga Fredi Beleri, lidhur me tjetërsimin e pronave në zonën e bregdetit të Jugut.
Por ky hetim më pas u pushua nga prokuroria e Posaçme dhe më pas u la në fuqi dhe nga gjykatat e vendit.
Ndërkohë, tashmë ky është një hetim i ri, që ka zbuluar prova të reja, ndaj dhe prokurori Olsi Dado ka regjistruar dosjen për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.



