dsd-1-1765787326

Detaje të reja janë zbuluar nga dosja voluminoze e SPAK për grupin kriminal Rraja, ku dalin në dritë identitete dhe role të të përfshirëve.

Grupi i dyshuar kriminal dyshohet për 3 episode trafiku të lëndëve narkotike, teksa kanë qenë bisedat në SkyEcc që nxorrën zbuluar aktivitetin e tyre.

Në dosje, evidentohet një episod i trafikut të drogës, ku vihet re se anëtarët mes tyre identifikoheshin me pseudonime. E gjitha kjo për të ‘fshehur’ edhe mallin e paketuar në pako, i mbështjellë në qese alumini dhe i emëruar me kode, shenjë me qëllim që mos të ngatërroheshin me pakot e bashkëpunëtorëve të tjerë.

Nga transkriptimi i bisedave të enkriptuara në Sky Ecc janë zbuluar nofkat, ku bie në sy njëri nga protagonistët e grupit, Aldo Gjini, i njohur si “bjondi“.

Roli i tij ishte pikërisht ajo e emërimit të pakove të aluminit. “Bjondi” është një prej personave të ndaluar në operacionin e fundit të SPAK kundër grupit të strukturuar kriminal “Rraja”, ku ai u informua për masën e arrestit brenda qelisë. Por, emri i tij është i njohur edhe më herët nga autoritetet për shkak të të shkuarës kriminale, trafikim armësh, droge dhe tentative për vrasje, si dhe i shpallur në kërkim nga INTERPOL.

“Nga analiza e bisedave të zhvilluara mes tyre evidentohet fakti se, i hetuari Jani Çavo, informon bashkëbiseduesin Agim Nina, se bashkëpunëtorët e tyre kishin bërë gati sasinë e lëndës së dyshuar narkotike që do trafikonin, ndërsa, i hetuari Agim e porosit se lënda e dyshuar narkotike me qëllim që të transportohej e sigurtë duhej që të ambalazhohej me material qese alumini, ndaj dhe i dërgon me foto modelin se si ka ambalazhuar një pjesë të lëndës narkotike. I hetuari Jani Çavo i tregon të hetuarit Agim se personat që do sillnin pjesën e tyre të ngarkesës me lëndë narkotike kërkonin që ti bënin me shenjë dalluese pakot e tyre, e për rrjedhojë i dërgon edhe mesazhin që i ka dërguar njëri nga bashkëpunëtorët e tyre me pseudonimin “Hermano” i cili ka përdorur aplikacionin e platformës së enkriptuar SkyEcc PIN “EB43A6”, identifikuar si i hetuari Sokol Qaja i cili e pyet në lidhje me shenjat që do vendoste.

Në vijim, i dërgon edhe mesazhet që i ka dërguar përdoruesi tjetër i aplikacionit të enkriptuar Sky Ecc PIN “BJFJ6H” me pseudonimin “:”XRI “Neë Sky”, identifikuar si i hetuari Rexhep Rraja, i cili e njofton të hetuarin Jani Çavo se do shkonte bjondi (i referohet të hetuarit tjetër Aldo Gjini), i cili ishte personi që do bënte me shenjë pakot e aluminit me qëllim që mos të ngatërroheshin me pakot e bashkëpunëtorëve të tjerë. Sipas komunikimeve të realizuara ndërmjet tyre, evidentohet fakti se në këtë trafikim, një pjesë nga lënda narkotike (ende e pa përcaktuar), i përkiste një presoni tjetër të cilit i drejtohen me emrin “Eldi“, thuhet ndër të tjera në dosje, shkruan zëri.

Dosja e SPAK zbulon kodifikimin e brendshëm të grupit.

Sipas dokumenteve të SPAK, Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, përdorte pseudonimet “XR1” dhe “New Sky”.

Nofka të tjera që bëjnë të mundur identifikimin e anëtarëve të tjerë: Islam Sefa – “Kruja”; Bujar Sefa – “Venecia”; Hajdar Sefa – “Bruxel”; “Detroit USA”, “GjoranKruja”; Vidjan Baroka – “Rrushi”; “Neë”;  “Plaku”; “979”, etj.

SPAK urdhëroi një operacion të gjerë në Nikël, mëngjesin e së mërkurës, 10 dhjetor, kundër grupit kriminal të njohur si “Rraja”, duke çuar në 14 urdhër-arrest, 10 prej të cilave u ekzekutuan. Grupi në fjalë akuzohet për veprat penale trafikimi i lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.

Masa “arrest me burg” është caktuar ndaj: Islam Sefa, Rexhep Rraja (djali i ish-deputetit të PS-së, Rrahman Rraja), Agim Nina, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Zamir Aliaj, Aldo Gjini, Sokol Qaja dhe Jani Çavo.

Ndërkohë, gjatë kontrolleve në banesa janë gjetur dhe sekuestruar shuma të konsiderueshme në lekë, euro dhe dollarë, si dhe makina luksoze, armë, ora Rolex dhe dokumente të ndryshme.