-1000-0-1776792104x2ae70929-1a6a-4961-9eb9-1e9bc2cbb525-949

Ilir Alimehmeti nuk e ka fshehur ambicien e tij për të qenë kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës. Në një deklaratë për Report Tv, ai tha se nuk synon poste brenda partisë, por se e ka shprehur prej kohësh gatishmërinë për të garuar për kryeqytetin.

“Nuk garoj për kryetar të PD. As si Sekretar i Përgjithshëm. Për Bashkinë e Tiranës e kam dhënë disponibilitetin që në vitin 2022. Jam koherent me vendimet. Do e vendosin vendimmarrësit”, u shpreh Alimehmeti.

Ambicia e tij për Tiranën nuk është e re. Në zgjedhjet e fundit vendore ai mbeti jashtë garës, pasi primaret e organizuara nga PD nxorën fitues Belind Këlliçin, ndërsa Alimehmeti përfundoi “pas liste”. Megjithatë, kjo nuk duket se e ka zbehur aspiratën e tij për të provuar sërish.

Në fakt, në kampin politik shqiptar kanë nisur të shfaqen herët emrat që shohin veten në garën për kryeqytetin. Në Partinë Socialiste, deputeti Erjon Braçe ka artikuluar gjithashtu hapur ambicien për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës.

Kështu, Alimehmeti në PD dhe Braçe në PS janë deri tani dy kandidaturat më të qarta të vetëshpallura për garën e ardhshme për kryeqytetin. Por të dy kanë një element të përbashkët: asnjëri prej tyre nuk ka marrë ende mbështetjen e hapur të kryetarëve të partive përkatëse, të cilët në fund do të kenë fjalën vendimtare për kandidaturat.