-640-0-inez-1773399013

Në media kanë dalë detaje të reja në lidhje me operacionin e zhvilluar pak ditë më parë nga SPAK në qytetin e Vlorës, ku u arrestuan disa persona të dyshuar si pjesë e grupit kriminal të Inez Hajrullës, një emër i njohur në botën e krimit të organizuar.

Sipas informacioneve të publikuara, aksioni konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm për hetimet në këtë qytet, pasi është ndër rastet e para kur SPAKhap një dosje të tillë që lidhet drejtpërdrejt me aktivitetet kriminale në Vlorë.

Deri më tani, hetimet e këtij institucioni kanë qenë të përqendruara kryesisht në qytete të tjera si Elbasani, Durrësi dhe Lezha.

Raportohet gjithashtu se gjatë operacionit, autoritetet kanë hyrë për herë të parë në zonën e banesave të Hajrullës, të njohur si “blloku Oslo”, një zonë që sipas burimeve ruhej me masa të forta sigurie.

Po sipas të njëjtave burime, Inez Hajrulla konsiderohet një nga personat më të ruajtur në vend, duke lëvizur shpesh me autokolonë makinash të blinduara dhe me masa të shumta sigurie.

Në rrugët e Vlorës kanë qarkulluar prej kohësh histori dhe dyshime për përfshirjen e grupit të tij në disa ngjarje të rënda kriminale, megjithatë deri më tani shumë prej tyre nuk kishin sjellë masa sigurie konkrete.

Disa informacione të tjera që qarkullojnë në media shprehen se Hajrulla dhe grupi i tij banonin në katet e fundit të bllokut Oslo dhe dyert e tyre ishin të blinduara dhe me gjemba ku dyshohet se ngjarje të rënda mund të jenë kryer brenda atyre banesave.

Vlora prej vitesh përmendet si një nga zonat më të prekura nga krimi i organizuar, ndërsa aktiviteti kryesor kriminal që lidhet me këto grupe dyshohet të jetë trafiku i lëndëve narkotike.

Hetimet e fundit të SPAK pritet të hedhin më shumë dritë mbi rolin dhe aktivitetin e këtij grupi në qytetin bregdetar.

Hajrulla sipas informacioneve në media mori drejtimin e grupit kriminal të qytetit pas ekzekutimit të shefit të tij Edison Harizaj ose siç njihet në botën e nëndheshme “Edison Faqedjeguri” në nëntor të vitit 2018, kur ishte vetëm 26 vjeç.