Policia ka arrestuar një 22-vjeçar, i cili u kap në autostradën “Tiranë-Durrës” duke transportuar pako me kokainë që do i shiste në zona të kryeqytetit.
Nga kontrolli në automjetin tek Benz, që drejtohej nga Behar Sorra u gjet një pako me 564 gramë kokainë, e cila dyshohet se do të ndahej në doza e do të shitej në zonat Yzberisht, Kashar dhe “Ali Demi”.
Ndërkohë vijojnë hetime për të identifikuar dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Trekëndëshi”.
U kap në flagrancë, në autostradën “Tiranë-Durrës”, duke transportuar pako me Kokainë, për ta shitur në doza në zonat Yzberisht, Kashar dhe “Ali Demi”, arrestohet 22-vjeçari.
Sekuestrohen pakoja me 564 gramë lëndë narkotike Kokainë dhe automjeti tip “Benz” që drejtonte 22-vjeçari.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacionit të siguruar në rrugë informative, për një shtetas që transportonte Kokainë, me automjet, në autostradën “Tiranë-Durrës”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin “Trekëndëshi”.



