-640-0-screenshot-2026-05-08-193933-1778262011

Një vendim i paprecedentë nga presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, ka shkaktuar reagime të forta në komunitetin e sportit të pëllumbave postarë në Shqipëri.

Në një letër zyrtare të firmosur nga Fidel Ylli dhe drejtuar Drejtorisë së Doganës në Qafë Thanë kërkohet ndalimi i daljes jashtë territorit shqiptar të Shoqatës “Pëllumbat e Postës 2003” për zhvillimin e aktiviteteve ndërkombëtare.

Në dokumentin zyrtar, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar argumenton se Federata Shqiptare e Kolombofilëve, me president Ramazan Gjyla, është e vetmja strukturë e njohur zyrtarisht për organizimin e garave të pëllumbave udhëtarë në Shqipëri, në bazë të ligjit “Për Sportin”.

Sipas shkresës, Shoqata “Pëllumbat e Postës 2003”, me administrator Kujtim Bejqa, po zhvillon aktivitete të ngjashme pa autorizimin e federatës përkatëse. Në letër theksohet se asnjë shoqatë nuk mund të organizojë aktivitete sportive kombëtare apo ndërkombëtare pa miratim zyrtar nga federata përkatëse.

Fidel Ylli pengon "Shoqatën e Pëllumbave" të dalë

Më tej, në dokument pretendohet se kjo shoqatë ka vijuar të dalë jashtë Shqipërisë përmes pikave kufitare duke përdorur mjete të ndryshme transporti, mes tyre edhe një kamion me targë AA158ZL.

Për këtë arsye, Fidel Ylli i ka kërkuar autoriteteve doganore të mos lejojnë kalimin e kufirit për mjetet që përdoren nga Shoqata “Pëllumbat e Postës 2003” për aktivitete jashtë vendit.

Nga ky vendim preken rreth 170 sportistë, të cilët zotërojnë qindra pëllumba garues dhe marrin pjesë prej vitesh në aktivitete sportive ndërkombëtare. Për komunitetin e tyre, ky vendim konsiderohet një goditje e rëndë ndaj një sporti dhe hobi të njohur ndërkombëtarisht, i cili në Shqipëri praktikohet prej dekadash.

Çështja ka hapur debat të gjerë mbi mënyrën se si institucionet shtetërore po trajtojnë komunitetet sportive dhe nëse kemi të bëjmë me një precedent të rrezikshëm, ku një shkresë administrative mund të përdoret për të penguar lëvizjen e lirë të sportistëve shqiptarë në kufi.