IMG_9407

August Berberi, është efektivi i Policisë i cili u shoqërua ditën e sotme në kuadër të operacionit të ndërmarrë nga SPAK dhe autoritetet franceze me qëllim goditjen e call centera-ve mashtruese të cilat operojnë në Tiranë.

Burime për mediat bëjnë me dije se Berberi, me detyrë agjent në Komisariatin nr.1 në Tiranë është shoqëruar nga Policia, ndërkohë që agjentët e BKH-së i kanë kontrolluar dhe banesën.

Aksion i ndërmarrë ditën e sotme është ende në vijim, teksa deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Policia apo SPAK.

Përpos Berberit, në polici u shoqëruan dhe dy drejtues të disa call center-ave që operonin në zonën e bulevardit “Zogu I”, pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Operacioni është i fokusuar në goditjen e një aktiviteti të dyshuar kriminal të lidhur me disa subjekte call center, të cilat dyshohet se kanë kryer mashtrime ndaj shtetasve francezë.

Sipas burimeve paraprake, pikërisht nga Franca ka mbërritur sinjali i parë për këtë aktivitet të paligjshëm, duke çuar në koordinimin mes autoriteteve shqiptare dhe atyre franceze për zhvillimin e një megaoperacioni të përbashkët.

Mësohet se disa persona të tjerë janë në kërkim dhe po shoqërohen nga autoritetet. Po ashtu, dyshohet se të përfshirë në këtë skemë mashtrimi janë edhe disa efektivë të tjerë policie.