As akuzat e SPAK-ut dhe as përfshirja në dosjen e Erion Veliajt nuk duket se kanë ndalur rrjedhën e miliona eurove publike drejt kompanisë së Shkëlqim Fushës. Biznesmeni, emri i të cilit lidhet prej vitesh me kontratat e mëdha në institucionet e shtetit, vijon të sigurojë tendera të majmë.
Këtë herë është Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Lezhë që i ka besuar një tjetër kontratë të majme, duke shpallur fitues paraprak bashkimin e kompanive “Fusha” dhe “Shansi Invest” për ndërtimin e ujësjellësit të Mamurrasit, me një ofertë prej rreth 884 milionë lekësh, ose rreth 9.6 milionë euro.


Dy kompanitë e tjera në garë, “2T” dhe “Everest”, janë skualifikuar, duke i lënë rrugën e lirë bashkimit të kompanive fituese.
Tenderi i Mamurrasit është një tjetër kontratë e madhe publike që i shtohet listës së projekteve të siguruara nga kompania ‘Fusha’. Pak muaj më parë, ajo ishte pjesë e bashkimit të kompanive që fitoi kontratën rreth 10 milionë euro për gjelbërimin e autostradës Tiranë–Durrës.
Ndërkohë, Shkëlqim Fusha përballet me akuzën e korrupsionit aktiv në dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Ndaj tij është raportuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa SPAK ka ngritur dyshime për marrëdhënie financiare të paligjshme me rrethin e kryebashkiakut. Akuzat nuk përbëjnë fajësi të provuar, por kontratat e reja ngrenë pikëpyetje mbi kontrollin dhe transparencën e fondeve publike.
Rasti i Mamurrasit rikthen në vëmendje edhe një tjetër problem të denoncuar më herët nga VNA, ujësjellësit ndryshuan formë, por jo domosdoshmërisht mënyrën e administrimit të parave. Reforma i bashkoi ndërmarrjet në shoqëri rajonale, por nuk i zhduku pikëpyetjet mbi tenderat. VNA ka evidentuar më parë raste kur oferta më të shtrenjta janë shpallur fituese pas skualifikimit të konkurrentëve më të lirë.
Megjithatë, për t’u rikthyer te tenderi i Mamurrasit, ajo që bie më shumë në sy nuk është vetëm vlera e kontratës, por besimi që institucionet shtetërore vijojnë t’i japin kompanisë “Fusha”.
Për vite me radhë, Shkëlqim Fusha ka qenë një nga emrat më të spikatur të biznesit të ndërtimit në Tiranë, por edhe një nga përfituesit e tenderave të shumtë publik. Marrëdhëniet e tij me pushtetin vendor u bënë edhe pjesë e dosjes së SPAK-ut për Erion Veliajn, ku biznesmeni u vu nën akuzë për korrupsion aktiv.
Por telashet me drejtësinë nuk duket se ia kanë zbehur peshën në marrëdhëniet me shtetin. Përkundrazi, kontratat e fundit dëshmojnë se kompania “Fusha” vijon të jetë një prej përfituesve të mëdhenj të fondeve publike. Një pozicion që, sipas renditjes historike të Open Data Albania për 11 vite, e ka vendosur atë në krye të kompanive që kanë përfituar më shumë nga tenderat shtetërorë.
Këtë herë, është Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Lezhë, e administruar nga Zef Maçi, që i ka hapur rrugën një tjetër kontrate miliona euroshe.



