IMG_9372

Një situatë paprecedentë është regjistruar seancën e sotme parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku Fatos Geci, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka kërkuarburgim të përjetshëm për ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili është ende në pritje  të një vendimi nga gjykata e Hagës.

Ai tha se Hashim Thaçin “do ta ndjekë fati i Naim Murselit”, i cili kujtojmë se u dënua sot me burgim të përjetshëm.

“Sot, dua të përshëndes vendimin e gjykatës për burgim të përjetshëm ndaj Naim Murseli. Dhe ju (duke iu drejtuar deputetëve të PDK-së) që shpresoni se lideri juaj suprem do të lirohet, do ta përcjellë i njëjti fat. Por, edhe nëse lirohet ai nuk ka kurrfarë kredibiliteti përball Albin Kurtit”,deklaroi Geci .

Kjo deklaratë nxiti reagim të menjëhershëm nga deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila e cilësoi të papranueshme gjuhën e përdorur në foltoren e Kuvendit.

“Nuk kisha besuar kurrë që nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës vjen një lutje në formë urimi për dënim me burg të përjetshëm për njerëzit që kanë luftuar për lirinë e këtij vendi”, tha Çitaku, teksa i bëri thirrje “Vetvendosjes” të distancohet nga deklarata e deputetit të saj, raportojnë mediat vendase.

Në përgjigje të kësaj, kryedeputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci, theksoi qëndrimin e partisë për luftën çlirimtare, duke e cilësuar atë “të drejtë dhe të pastër”: “Në lidhje me luftën çlirimtare të UÇK qëndrimet tona janë publike, të qarta dhe qëndrojmë pas tyre. Lufta ka qenë e drejtë, e pastër dhe respektojmë përpjekjet e të gjithë atyre që kanë kontribuar për lirinë e vendit.”

Ndërsa edhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, është distancuar nga kjo deklaratë duke theksuar se ajo nuk përfaqëson as qëndrimin e saj personal as atë të Kuvendit dhe LVV-së. Një reagim është bërë edhe nga një tjetër deputet i Vetëvendosjes, Hysen Durmishi, i cili është shprehur se është ndjerë i turpëruar prej Gecit.

“Unë ndihem i turpëruar nga deklarata e deputetit Geci! Lufta jonë ishte e pastër dhe çlirimtare! UÇK është vlera më e lartë e kombit tonë!” u shpreh Durmishi.

Kujtojmë se ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë dhënë deklaratat përfundimtare në gjykimin e tyre në Gjykatën Speciale, në shkurt.