E ndërsa skema që dyshohet se i shkaktoi rreth 200 mijë euro dëm Raiffeisen Bank bëri bujë, detaje të reja janë zbuluar për personin e identifikuar si organizatori kryesor i kësaj historie, Eglind Mançja.
Mançja rezulton të ketë qenë i punësuar pranë platformës financiare Kredo.al. Emri i tij u bë publik pasi autoritetet zbuluan një skemë që, sipas hetimeve, shfrytëzonte një dobësi në sistemin e Raiffeisen Bank, duke mundësuar kryerjen e transfertave gjatë orëve të natës.
Ndërkohë, gjatë verifikimeve të kryera pas publikimit të ngjarjes, është zbuluar edhe një detaj i pazakontë. Profili i Eglind Mançjës në rrjetin profesional LinkedIn nuk përdorte fotografinë e tij, por atë të një qytetari tjetër të identifikuar si Enea Muça, i cili nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje.

Ky keqidentifikim bëri që disa media të publikonin gabimisht fotografinë e personit të pafajshëm, duke e paraqitur atë si të dyshuarin për skemën. Vetë qytetari kontaktoi redaksinë e Vox News, duke sqaruar se nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen, ndërsa Vox News ka siguruar fotografinë e vërtetë të Eglind Mançjës që përveç hakeroi Raiffeisen Bank, ka hakeruar edhe fotografinë e një qytetari.

Mançja identifikohet dhe nga Tirana Business University (TBU), si histori suksesi në Kredo.al, por mesa duket suksesi i tij arriti aq lart sa të zhvaste dhjetëra klientë nga Raiffeisen Bank.
Sakaq, hetimet për skemën e dyshuar të mashtrimit ndaj Raiffeisen Bank vijojnë.



