Një shtetas portugez ka hedhur dritë mbi një prej skandaleve më të mëdha të shërbimeve estetike në kryeqytet, duke denoncuar mashtrimin e përsëritur në klinikën private “International Medicare” pranë “Zogut të Zi” në Tiranë.
Siç mëson Gazeta Jonë, ngjarja ka ndodhur në prill të vitit 2024, kur ai kishte kërkuar të kryente tri ndërhyrje estetike, për të cilat kishte paguar plot 5 200 euro, por nuk kishte marrë asnjë shërbim mjekësor në këmbim.
Sipas dëshmisë së tij, çdo herë që i caktohej data e ndërhyrjes, ajo shtyhej pa asnjë shpjegim. Pagesat i kishte bërë dorazi tek një punonjëse e klinikës, Xhuana Liko, e cila i ishte prezantuar si drejtoreshë. Por, hetimet zbuluan se Liko ishte thjesht recepsioniste, që vepronte sipas urdhrave të pronarëve të klinikës: shtetasit turk Bilal Kara dhe bashkëpunëtores së tij Geriana Arapi, të cilët ndodhen jashtë Shqipërisë dhe janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Kontrollet e policisë në ambientet e klinikës zbuluan shkelje flagrante që rrezikonin shëndetin e pacientëve. U gjetën medikamente të skaduara, preparate të ndaluara për përdorim, pagesa të kryera në të zezë, pa fatura, dhe punësim informal të stafit.
Skandali u thellua edhe më tej, kur hetuesit zbuluan se administrator zyrtar i klinikës ishte emëruar kuzhinieri i saj, Edmond Zaja, 62 vjeç, i cili nuk kishte asnjë përgatitje mjekësore apo menaxheriale. Ai kishte pranuar të firmoste si administrator vetëm për shkak të presioneve nga drejtuesit realë të klinikës.
Një tjetër dëshmi tronditëse erdhi nga një kirurg turk, i cili pranoi se vinte dy herë në muaj në Tiranë për të kryer ndërhyrje estetike në këtë klinikë, duke realizuar mbi 20 operacione pa asnjë regjistrim ligjor, në shkelje të plotë të legjislacionit shqiptar për shërbimet shëndetësore.
Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa autoritetet kanë nisur procedurat për mbylljen e aktivitetit të klinikës dhe ndjekjen penale të të gjithë personave të përfshirë. Rasti i portugezit shënon vetëm majën e ajsbergut të një fenomeni shqetësues, ku qytetarë shqiptarë e të huaj bien pre e klinikave të palicencuara që operojnë në tregun e shërbimeve estetike, shpesh pa standarde, duke vënë në rrezik jetën e pacientëve.
Ky skandal ngre pikëpyetje të mëdha mbi kontrollin shtetëror të këtij sektori dhe tregon domosdoshmërinë e një rregullimi më rigoroz për klinikat estetike në vend. /gazetajone



