-640-0-196f46c0-59e2-11f1-ad45-03463f64a221-1779916269

Ish-prokurorja e përgjithshme e Shteteve të Bashkuara, Pam Bondi, e cila u largua nga detyra muajin e kaluar, është diagnostikuar me kancer në tiroide.

Sipas raportimeve, diagnoza erdhi pak kohë pasi presidenti Donald Trump e shkarkoi nga posti i kryeprokurores së SHBA-ve. Bondi, 60 vjeçe, ka bërë të ditur për CBS News se po i nënshtrohet trajtimit, madje kishte bërë edhe një ndërhyrje kirurgjikale disa javë më parë.

Ajo po vazhdon të punojë pavarësisht gjendjes shëndetësore dhe pritet t’i bashkohet këshillit të ri të Shtëpisë së Bardhë për inteligjencën artificiale dhe shkencën, të njohur si PCAST.

Ish-këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë, Katie Miller, deklaroi në rrjetet sociale se Bondi “ka luftuar në heshtje me kancerin gjatë javëve të fundit”, duke shtuar se ajo “ka zemër të artë”.

Sipas klinikës Cleveland, kanceri në tiroide ka një shkallë mbijetese mbi 98% për pesë vjet dhe shumica e rasteve janë të trajtueshme dhe të shërueshme. Megjithatë nuk është bërë e ditur faza e saktë e sëmundjes së Bondit.

Pas largimit nga Departamenti i Drejtësisë në fillim të prillit, Bondi kishte deklaruar se synonte të kalonte në sektorin privat. Emërimi i saj në Këshillin Presidencial për Shkencë dhe Teknologji (PCAST) është angazhimi i parë i njohur pas largimit.

Zëvendëspresidenti JD Vance deklaroi se Bondi ka qenë një “aset shumë i vlefshëm për ekipin e presidentit” dhe u shpreh i kënaqur që ajo do të vazhdojë të jetë e përfshirë në çështje të rëndësishme të administratës.

Presidenti Trump krijoi PCAST në vitin 2025 për të bashkuar ekspertë nga akademia, industria dhe qeveria në fushën e shkencës dhe teknologjisë. Në këshill bëjnë pjesë edhe figura të njohura si Sergey Brin, Mark Zuckerberg, Larry Ellison dhe Jensen Huang.

Bondi gjithashtu pritet të dëshmojë para Komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve lidhur me çështjen e dosjeve “Epstein”, të cilat kanë shkaktuar debat të gjerë politik në SHBA.