-900-0-1756829904xcover-divjaka-web-503

Rreth 6 mijë shqiptarë raportohet se kanë rënë pre e një skeme mashtrimi përmes dy platformave të quajtura TXEX dhe XEUX, të cilat paraqiten si aplikacione investimi në kriptovaluta. Platformat shpërndahen kryesisht në rrjetin social Telegram, por edhe në kanale të tjera online.

Një nga qytetet me numrin më të lartë të përdoruesve është Divjaka, ku banorë të ndryshëm kanë treguar se si funksionon skema: regjistrimi, investimi i parave dhe mënyra e tërheqjes. Ajo që bie në sy është fakti se përdoruesit variojnë nga fëmijët deri te pensionistët.

Një banor i zonës shpjegon se “ata që hynë të parët kanë fituar, por ata që futen tani rrezikojnë të humbasin. Loja funksionon me përqindje që rriten sa më shumë të investosh”. Një tjetër banor thekson se shumica e tërheqjeve të parave bëhen përmes rregullave të ngatërruara që kërkojnë shuma të mëdha ose pagesa të detyrueshme prej 20 për qind.

Banorë të tjerë tregojnë se paratë shpesh tërhiqen edhe në Kosovë për të shmangur taksat, ndërsa theksojnë se për të hyrë në platformë nevojitet një link i shpërndarë nga përdoruesit ekzistues, të cilët kanë për detyrim të fusin deri në pesë persona të rinj, duke e shndërruar skemën në një zinxhir të tipit piramidal sipas Zeri.

Një pjesë e qytetarëve rrëfejnë se kanë humbur shuma të mëdha, ndërsa disa të tjerë pretendojnë se kanë përfituar. “Unë kam futur 1 mijë dollarë, por kam marrë më shumë mbrapsht”, tregon një banor, ndërsa një tjetër shton: “Këtu kanë luajtur edhe gra të moshuara, disa kanë investuar nga 20 mijë euro”.

Burime bëjnë me dije se Policia shqiptare ka nisur hetimet mbi këto platforma dhe mbi kanalet e tyre në Telegram. Dy qytetet me përhapjen më të lartë pas Divjakës janë raportuar të jenë Lushnja dhe Lezha.

Skema po shihet si një formë e re mashtrimi dixhital që po shfrytëzon dëshirën e qytetarëve për fitime të shpejta, duke vënë në rrezik kursimet e shumë familjeve shqiptare.

BISEDAT:

Banori- Po doni të hyni ju…nuk jemi trembur asgjëkundi….pse trembeni ju vazhdon loja…një miku jonë ka shkuar 100 mijë euro e çfarë se humba një mijë euro.

I drejtohet banorit tjetër: Cfarë thotë kjo loja është me humbje…banori tjetër: varet ca humbin ca fitojnë

Banori: Janë dy lojra…ata që janë futur shpejt kanë marrë kanë hedhur dhe lekët i kanë marrë dorazi, pot ë vesh ti marësh tani merr por nëse ke 10 mijë euro do shkosh ti marrësh në bankë, por paguan dhe taksat nuk e di sa përqind. Keni futur ju…është një lojë e dytë jep shumë ajo po është pak me problem kjo e para është e rregullt. Ajo është kshu si rregull nëse fut 1 mijë dollarë, ajo është me përqindje dhe fillon 13 përqind, të jep dy sinjale dhe fillon pastaj vazhdon 14 përqind, 15, 16 sa më shumë lekë të kesh aq më shumë rritet përqindja …nëse ke 10 mijë euro merr 150 në ditë pastaj vazhdon në rritje prap. Ja un kam çunin, çuni ka kap 20 mijë.

Si i tërheqin lekët?

Banori: Një pjesë lekët i kam marrë në Kosovë unë për arsye se janë pa taksa…ajo ka edhe një rregull nëse ke 5 mijë ose 10 mijë nëse do të tërheqësh 2 mijë ose 3 mijë duhet ti hedhësh në bilanc ato i merr sti luan njeri në program i ke si bankë më vete. Nëse nga 10 tërhoqe tre ngelen 7 nuk i tërheq dot më derisa të shkojë 14 ose i tërheq po do paguash 20%, nëse do tërheqësh 5 mijë euro 2 mijë do ti mbajë ajo, është si rregull duhet të shkosh 10 mijë të mos paguash 20% e ka si kontratë. Unë ka 5-6 muaj që i kam fut, 1 mijë dollar, 800 mijë lekë zëre se hëngra një drekë një darkë…megjithatë ne i kemi marrë lekët tona ne kemi marrë më shumë…dhe po humbën 1 mijë dollar një darkë është

Banori: Është në Kanada…është menatliteti i njerëzve që kanë frikë kjo loja ka 5-6 vite e di ti sa njerëz janë pasuruar me ktë lojën ..ksaj tani i doli si bojë dhe kanë marrë vesh dhe frikësohen njerëzit. Para ca kohësh kur ishte një si tërmet u ndërpre një ditë dhe i zuri paniku njerëzit dhe nxorri shpallje dhe tha ne do vazhdojmë lojën dhe lekët nuk i dha paradite por i dha në darkë të gjitha…kurse kjo loja e dytë jep shumë, futi çuni për tre ditë vajti 10 mijë euro. Duhet të vijë njëri me link dhe ai i shpërndan pastaj, ka një rregull ai personi që do hyjë ka për detyrim të fusë deri në 5 veta dhe krijon grup kalon si agjent.

Banori tjetër: Këtu kanë luajtur gjithë plakat…ato kanë marrë plakat nga 70 vjeçe nga 80 vjeçe nga 20 mijë euro aty…janë shumë loja. Po u regjistrove ti pastaj fut tjetrin pa problem fare, pastaj kalon tjetrin tjetrin dhe ata që janë agjent marrin pak më shumë…quhet biznes

Banori: Nusja ime lekët e mia i ka marrë …1 milion të miat i kam marr e un.

Disa javë më parë, një denoncim i mbërritur në redaksi na vuri nën alert për një skemë e cila sipas denoncuesit anonim ishte duke zhvatur qytetarët shqiptarë. Bëhet fjalë për dy platformat TXEX dhe XEUX. Këto dy platforma paraqiten si aplikacione investimi në kriptovaluta dhe shpërndahen në disa rrjete sociale, ku më kryesori është në Telegram. Por për çfarë bëhet fjalë më konkretisht? Burime për ZËRI bëjnë me dije se Policia shqiptare është duke i hetuar këto platforma dhe kanalet e tyre në Telegram dhe rrjete të tjera. Aktualisht, po të njëjtat burime bëjnë me dije se numri i qytetarëve që kanë shkarkuar këtë platformë dhe kanë investuar para është gati 6 mijë. Dy qytetet me numrin më të lartë të përdoruesve janë në Lushnje dhe Lezhë.