rama diella

Diella, shpikja e kryeministrit Edi Rama vazhdon të mbulohet nga një tis paqartësie se çfarë roli real do të ketë.

Edhe pse nuk ka ende një sqarim nga ana e qeverisë se si do të funksionojë Ministrja e Inteligjencës artificiale, kryeministri Rama në këto momente nuk e fsheh që po e shijon momentin, reklamën që Diella e tij ka “pushtuar” mediat ndërkombëtare.

“Unë kam vendosur 60 ministra dhe nuk e di sesa ministra të tjerë kam vendosur që nga dita e parë që kam qenë në detyrë, por askush nuk ka qenë subjekt i mediave ndërkombëtare, ndërsa ky ministër që kam emëruar tani, kjo ministre e inteligjencës artificiale është në qendër të vëmendjes të të gjitha mediave ndërkombëtare. Kemi kërkesa çdo ditë për të folur për të”, u shpreh Rama në lançimin e Platformës Startup Albania.

Debateve dhe komenteve në lidhje me ministren e Inteligjencës Artificiale, Rama iu përgjigj duke theksuar se ajo nuk do të marrë asnjë vendim dhe nuk ka asnjë të drejtë qeverisje. Diela vetëm do të përpunojë të dhënat.

Sipas tij, puna e Diellës si një ministre e krijuar nga Inteligjenca Artificiale është të procesojë sa më shpejt të dhëna dhe të kthejë përgjigje të shpejta.

“Ka shumë keqkuptime, jo domosdoshmërisht refuzime të bazuara në argumente. Njerëzit që kanë një opinion të ndryshe, nuk kuptojmë që ministrja e IA nuk do të marrë vendime për ne, ne do t’i marrim vendimet. Ne nuk po i delegojmë përgjegjësinë për të qeverisur apo për të marrë vendime përfundimtare. Po i japim asaj përgjegjësinë të bëjë atë që ajo bën më mirë se ne. Dhe ajo është të procesojë të dhëna në mënyrë të shpejtë dhe të na japë përgjigje shumë të shpejta”, tha Rama.

Shefi i qeverisë beson që inteligjenca artificiale do të evitojë burokracitë si dhe të lehtësojë shpenzimet për qytetarët.