Mëngjesi i sotëm në Rrugën e Kombit është shndërruar në një skenë kaosi dhe rreziku, ku për shkak të ngricave dhe temperaturave të ulëta janë regjistruar disa aksidente rrugore zinxhir, duke përfshirë rreth 10 automjete, mes tyre edhe një autobus udhëtarësh.
Si pasojë e këtyre aksidenteve, dhjetëra persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. Shkaku kryesor i aksidenteve, sipas burimeve nga vendngjarja, ka qenë rruga e mbuluar nga ngrica dhe mungesa totale e hedhjes së kripës, pavarësisht se aksi është me koncesion dhe mirëmbajtje të paguar.
Dy kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugës, Kastrati dhe Salillari, akuzohen se nuk kanë kryer asnjë ndërhyrje dimërore, duke e lënë një nga rrugët më të rëndësishme të vendit në kushte ekstremisht të rrezikshme për qarkullimin.
Kujtojmë se koncesioni për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit iu dha në vitin 2016, pas debatesh dhe akuzash të forta, konsorciumit:
“Catalyst Viva Das General Contracting LLC & Salillari shpk & BEE Tech & Violap Ateve & Kastrati sha”.
Kompania e krijuar për këtë qëllim, Albanian Highway Concession, kontrollohet sot 50% nga Kastrati Group dhe 50% nga kompania Salillari.
Ndërkohë, që prej pranverës së vitit 2019, koncesionari Kastrati nisi mbledhjen e tarifës 5 euro (650 lekë të reja) për makinat e vogla dhe deri në 22 euro për mjetet e tonazhit të rëndë, duke shkaktuar pakënaqësi të fortë në Kukës dhe zonat përreth. Qytetarët paguajnë, por siguria mungon.
Sot, pas dhjetëra të plagosurve dhe aksidenteve zinxhir, lind pyetja e fortë:
Për çfarë paguhet koncesioni dhe ku janë fondet e mirëmbajtjes dimërore?
Rruga e Kombit nuk mund të jetë vetëm burim fitimi.
Mosmirëmbajtja po rrezikon jetë njerëzish. /gazetajone.com



