-900-0-1765221971xcover-tomas-web-992

Taulant Toma, i cili u arratis të dielën nga burgu i sigurisë së lartë Opera në Milano – ku duhej të vuante dënimin deri në vitin 2041 – është shpallur në kërkim në të gjithë Europën. 41-vjeçari shqiptar tashmë figuron në listën e personave më të kërkuar, ndërsa autoritetet italiane nuk kanë gjetur ende asnjë gjurmë të tij.

Mediat italiane raportojnë se Toma kishte përgatitur me kujdes planin e arratisjes. Ai kishte nisur një dietë për të rënë në peshë, me qëllim që të kalonte përmes hekurave të dritares, por edhe për të ndërtuar litarë me çarçafë të lidhur mes tyre. Me mjete të improvizuara – një shufër hekuri të prerë, bishta fshesash të montuara dhe çarçafë – ai arriti të çmontonte hekurat dhe të zbriste nga dritarja, duke shfrytëzuar errësirën dhe momentin kur rojat ndërroheshin.

Sipas hetimeve, Toma kishte parashikuar edhe fazën e dytë të arratisjes: përdorimin e bishtave të fshesave të lidhur me shirit ngjitës për të krijuar një mjet “teleskopik” me grep, të cilin e përdori për të kapërcyer murin e jashtëm të burgut. Fotografi të siguruara nga hetuesit tregojnë se gjithçka ishte e organizuar në detaj. Madje, i dënuari kishte planifikuar të arratisej bashkë me shokun e qelisë, por ky i fundit u tërhoq në momentin e fundit.

Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që 41-vjeçari të ketë pasur mbështetje nga jashtë. Dyshohet se të paktën një person e ka ndihmuar me mjete logjistike, përfshirë një automjet, rroba të tjera dhe dokumente të falsifikuara. Pasi doli jashtë perimetrit, Toma mendohet të jetë drejtuar me shpejtësi drejt zonave të brendshme të Milanos, për t’u zhdukur sa më larg vendndodhjes së burgut.

Prefektura e Milanos ka aktivizuar një plan të gjerë kërkimi, me pika kontrolli në stacionet e trenave, aeroportet dhe autostrada, si dhe me verifikime të kamerave publike e private. Qëllimi është rindërtimi i lëvizjeve të Tomës në “dritaren e errët” pas arratisjes.

Arratisja nga Opera është vetëm kapitulli i fundit në historinë e gjatë të tentativave spektakolare të Tomës. – Në vitin 2009, ai u arratis për herë të parë nga burgu i Ternit. – Më 2013, u largua nga burgu i Parmës së bashku me bashkatdhetarin Valentin Frrokaj, i cili më vonë u vra gjatë një grabitjeje. – Pas 40 ditësh kërkimi, Toma u arrestua në Belgjikë, por më pas arriti të zhdukej sërish, derisa u kap në vitin 2015.

Rekordi i tij e ka bërë një nga të burgosurit më problematikë në Europë, ndërsa niveli i sigurisë rritet sa herë që ai transferohet. Autoritetet italiane dhe europiane kanë frikë se Toma mund të largohet jashtë shtetit, duke përdorur kontaktet e vjetra kriminale dhe rrjetet që e kanë ndihmuar në të kaluarën. Për këtë arsye, Italia po bashkëpunon ngushtë me Europolin dhe disa vende të BE-së, me synimin për të parandaluar që “magjistari i arratisjeve” të riorganizohet brenda rrjeteve kriminale transnacionale. Kërkimet vazhdojnë me intensitet maksimal.