Me ngritjen e akuzave ndaj Raúl Castro-s, duket se në Kubë po përsëritet skenari venezuelian. Këtë do ta tregonte edhe mbërritja në jug të Detit të Karaibeve e aeroplanmbajtëses me energji bërthamore Nimitz dhe grupit të saj të sulmit, megjithëse një burim qeveritar i tha New York Times se bëhet fjalë për një “demonstrim force dhe jo për operacione të rëndësishme ushtarake”, ashtu si ndodhi me aeroplanmbajtësen Gerald Ford gjatë operacionit për kapjen e Nicolás Maduro-s.
Në çdo rast, për Donald Trump kapja dhe burgosja e presidentit venezuelian përfaqëson “skenarin perfekt” që administrata e tij synon të imitojë për të riorganizuar qeveritë “armiqësore” ndaj SHBA-ve në botë.
Pas suksesit të operacionit kundër diktatorit të Karakas-it, pa viktima amerikane dhe me një regjim të ri (pak demokratik por të bindur ndaj Uashingtonit) manjati provoi pa sukses të njëjtën gjë me qeverinë e ajatollahëve në Teheran. Tani parashikohet një tranzicion “alla venezuelian” edhe për Kubën. Por a është i realizueshëm ky skenar në ishullin e Revolucionit?
“Modeli Karakas” është i thjeshtë: eliminohet lideri suprem, mbahet në pushtet shumica e funksionarëve të nivelit të mesëm për të garantuar stabilitet administrativ dhe lidhen menjëherë marrëveshje ekonomike e tregtare me drejtuesit e rinj. Demokracia, me pak fjalë, kalon në plan të dytë.
Në Venezuelë, presidentja e përkohshme Delcy Rodríguez po punon që prej ditës së parë, pas arrestimit të Maduro-s më 3 janar dhe transferimit të tij në New York për gjykim, në harmoni të plotë me Shtëpinë e Bardhë. Njëzet e gjashtë vite “chavismo” duket se u fshinë brenda një nate në emër të biznesit të ri të naftës. Vetëm në dukje, sepse drejtuesit ushtarakë, shtylla kryesore e diktaturës, vazhdojnë të mbajnë fort kontrollin dhe për zgjedhje demokratike ende nuk flitet.
Por Havana nuk është Karakasi, paralajmërojnë ata që e njohin mirë regjimin e Castro-s. Është pak e mundshme që të instalohet një “kastrizëm me vulën e xhaxha Samit”. Përtej kompaktësisë së dukshme të qeverisë komuniste rreth figurës së Raúl Castro-s mbi 90 vjeç, pengesa kryesore gjendet në SHBA, jo në Kubë.
“Në bisedat e mia me njerëz të administratës, nuk shoh hapësirë për liderët aktualë, as për presidentin, as për familjen Castro. Jam i bindur se objektivi final i Trump-it është një ndryshim qeverie në Kubë, në një afat shumë të shkurtër,” tha për median italiane Corriere della Sera Hugo Cancio, biznesmen kubano-amerikan nga Miami, themelues i platformës e-commerce Katapulk.
Ndryshe nga Venezuela, emigrantët nga Kuba kanë krijuar një rrjet politik të fuqishëm, të integruar në institucionet e Washington-it: 11 anëtarë të Kongresit amerikan janë me origjinë kubane dhe ushtrojnë presion të vazhdueshëm për rrëzimin e regjimit të Havana-s. Komuniteti kuban i Miami-t nuk do të pranonte kurrë një zgjidhje hibride.
Sekretari i Shtetit dhe aspirant për president, Marco Rubio, me origjinë kubaneze, i ngarkuar me negociatat (jo fort sekrete) me nipin gjithnjë e më të fuqishëm të Raúl Castro-s, Raúl Rodríguez Castro, e di mirë që “modeli venezuelian” nuk do të pranohej nga komuniteti i tij, që përbën një pjesë të rëndësishme të elektoratit.
Këtë e konfirmon edhe sondazhi i fundit i Pew Research Center: vetëm 66% e latinëve që votuan Trump-in në vitin 2024 ende miratojnë veprimet e tij, me një rënie prej 27 pikësh nga fillimi i mandatit të dytë.
Nëse dështon “zgjidhja venezueliane”, mbetet opsioni i pushtimit. Por ky është një skenar i paparashikueshëm, me shumë të panjohura: si do të silleshin ushtarët kubanezë të stërvitur për besnikëri absolute? Si do të reagonte populli kubanez, i lodhur nga mungesa e demokracisë, i përbërë kryesisht nga gra, të moshuar dhe fëmijë, pasi burrat e rinj kanë ikur masivisht nga ishulli?
Revolucioni kuban është në pushtet që nga viti 1959. Ndryshe nga Venezuela, ku “çavismi” (lëvizja politike dhe ideologjike e krijuar nga Hugo Chávez) nisi në 1998, në Kubë nuk ekziston një opozitë reale, veç disa grupeve disidente të mbështetura nga Kisha Katolike.
“Venezuelianët duan rikthimin e ditëve të lavdisë së boom-it të naftës së shekullit XX; kubanezët duan një fillim të ri,” shkruan Politico. Por edhe të rinjtë e dinë, sepse në shkollat revolucionare është mësuar gjithmonë, që Kuba ka qenë e “pushtuar” gjatë nga SHBA-të dhe para revolucionit “interesat amerikane merrnin gjysmën e sheqerit me çmime të ulëta, zotëronin një të tretën e fabrikave të sheqerit, një të tretën e shërbimeve publike, 90% të prodhimit të energjisë elektrike dhe gati një të katërtën e territorit të ishullit”.
Trump kërkon një fitore politike për të zbutur zemërimin e elektoratit “nga lufta e gjatë në Iran dhe rritja e çmimeve të benzinës”, shkruan New York Times.
Shefi i CIA-s, John Ratcliff, gjatë vizitës së tij historike në Havana, i dha një ultimatum ministrit të Brendshëm kubanez, Lázaro Casas, dhe Raúl Rodríguez Castro.
“Do të ishte e pakëndshme nëse do t’i ndodhte diçka e keqe këtij ishulli të bukur,” tha në stil mafioz, pikërisht ditën kur Havana pranoi se rezervat e fundit të karburantit po mbarojnë. Kur kërcënimet të marrin fund, çdo vendim nuk do të jetë i lehtë dhe do të ketë pasoja të paparashikueshme./Corriere della Sera



