Deputetët e Kuvendit të ri u betuan sot në një sallë të zhurmshme, ku nuk munguan akuzat por edhe batutat e të qeshurat mes tyre.
E midis këtyre momenteve, ligjvënësit gjetën kohën t’i kushtohen pasioneve të tyre. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk e heq nga dora iPadin e famshëm. Ai u filmua duke parë videot e Edi Ramës në Tik-Tok.
Nga ana tjetër, kryeministri u filmua duke pikturuar në faqet e librit të Etikës së Deputetit. Ai më pas i bëri një fotografi me telefon “kryeveprës” së tij, mesa duket për t’ia nisur dikujt me mesazhe, ose arkivuar.
Deputeti socialist Vullnet Sina shfletoi librin e Henry Kissinger, Diplomacia. Ai duket se e kishte të autografuar librin nga kryeministri Rama, i cili ka shkruar edhe parathënien.
Ndonëse me figura të reja, ligjvënës për herë të parë në Parlament, atmosfera përgjithësisht u duk jo shumë e ndryshme nga legjislaturat e mëhershme.



