Disa nga artistët më të mëdhenj arrijnë t’i shesin stadiumet brenda pak minutash ose orësh. Taylor Swift ka shitur rreth 57 mijë bileta për një koncert në Gillette Stadium brenda afërsisht 5 minutash, ndërsa për “Eras Tour” u shitën mbi 2 milionë bileta në një ditë. BTS shitën në rreth 90 minuta një koncert në Wembley, me rreth 60–70 mijë spektatorë, dhe kërkesa e lartë bëri që të shtohej edhe një datë e dytë, e cila gjithashtu u shit. AC/DC e mbushi të njëjtin stadium në më pak se një orë, ndërsa Oasis shiti në më pak se 60 minuta rreth 132 mijë bileta për dy koncerte në stadiumin MorumBIS të São Paulos, ose afërsisht 66 mijë bileta për shfaqje. Edhe Bruno Mars, Beyoncé, Coldplay, Ed Sheeran dhe Bad Bunny arrijnë të shesin disa net stadiumi, zakonisht me 50–80 mijë bileta për koncert, brenda orëve të para ose ditës së parë. Për artistët më të kërkuar, suksesi nuk matet më vetëm me mbushjen e stadiumit, por me sa minuta duhen për të shitur dhjetëra-mijëra bileta.
Por përballë këtyre rasteve është shfaqur edhe fenomeni i “Blue Dot Fever”, kur në hartat e shitjes mbeten shumë vende të lira të shënuara me blu; artistët që nuk arrijnë të mbushin sallat ose stadiumet detyrohen shpesh të ulin çmimet, të mbyllin sektorë të tërë, të zhvendosin koncertet në ambiente më të vogla ose, në raste të caktuara, t’i anulojnë fare.
Kthehemi te Shqipëria. Kur u njoftua në fund të prillit se artisti me famë ndërkombëtare Kanye West do të jepte koncert në Shqipëri në datën 11 korrik, në një stadium me 60 mijë vende, entuziazmi i qeverisë ishte i aq i lartë, njësoj sikur të kishin fituar zgjedhjet. Reklamat ishin të mëdha, që shitja e hershme (early bid) arriti të shiste 10 mijë bileta, sipas orgtanizatorëve. Por, euforia u zbeh shpejt.
Ndryshe nga artistët e tjerë ndërkombëtarë biletat nuk po shiteshin. Çmimet ishin të shtrenjta për tregun vendas, me 120-330 euro, dhe turistët që nuk e njohin Shqipërinë për treg koncertesh nuk shfaqën ndonjë interes.
Foto më poshtë tregon platformën e biletave në 30 maj. Pjesa më e madhe e biletave ende të pashitura. Organizatorët u kapën në panik, pasi ata duhet të shisnin të paktën 40 mijë bileta që të nxirrnin kostot.

Në ditët në vijim kishte vetëm heshtje. Thashethemet nisën të qarkullonin se koncesti do anulohej. Biletat nuk po shiteshin, sponsorët u tërhoqën për shkak të çmimit të shtrenjtë 250-300 mijë euro.
Foto më poshtë tregon platformën e biletave në datën 7 korrik, më pak se një javë nga koncerti.


Në kushte normale, koncerti duhet të anulohej. Por këtu ndodh dhe “magjia”. Si në asnjë vend të botës, ndërhyn qeveria dhe jep 4.3 milionë euro, shumë që mbulon të paktën një të tretën e shpenzimeve. Partonazhistët kishin eksperiencën e mitingjeve. Të gjitha institucionet u angazhuan për shitjen e biletave. Situata arriti deri aty sa iu pati edhe presion sipërmarrjeve private të blinin bileta. Në kahun tjetër u mendua dhe për ata që duhet të merrnin biletat që tashmë ishin falas. Edhe këtu infrastruktura e mitingut ishte gati. Dhe qëllimi u arrit. Vetëm dy ditë më pas nga mobilizimi i qeverisë, stadiumi është pothuajse i shitur. Më poshtë është platforma e biletave. Në tribunat anësore kanë mbetur shumë pak vende. Tribuna e veriut që vetëm pak ditë më parë ishte pothuajse e pashitur, tashmë është sold out. Sesionet janë shitur në bllok, që nënkupton se i ka blerë një dorë (kompani). Dhe çmimet në këtë sesion ishin mbi 200 euro!
Nga sot, çdo kompani që nuk arrin të shesë biletat – dhe kjo po ndodh shpesh në botë – mjafton t´i drejtohet për konsulencë qeverisë shqiptare dhe e ka të garantuar një “sold out” për dy ditë. Kush tha se qeveria shqiptare është e paaftë?! Ja e menaxhoi “për mrekulli” edhe shfaqje të radhës.





