etmir Muji, operatori i portalit Paparaci, në Kosovë është liruar nga burgu, pasi u ndalua me akuzat se kishte filmuar vajzat e presidentes Vjosa Osmani. “Paparaci” e ka publikuar materialin e xhiruar në afërsi të shkollës private ku ndjekin mësimet dy vajzat e Presidentes dhe nga pamjet ka rezultuar se nuk shihet asnjë fëmijë. Në imazhe ka vetëm xhirime të dy automjeteve të Mbrojtjes së Afërt të Presidentes Osmani, njëra prej tyre e blinduar.
Xhirimi nga kameramani Jetmir Muji është bërë nga rruga, në vend publik. Këtë e ka konfirmuar edhe prokurori i rastit që dha urdhërin për lirimin e Mujit, Rrahim Podvorica.
“Mua, kur më kanë njoftuar ma kanë shpjeguar gjendjen. Më kanë thënë që këtu nuk ka vepër penale, sepse e ka bërë incizimin në vend publik. Në këto rrethana unë iu kam thënë që ta lirojnë personin në fjalë. Për momentin nuk ka pasur elemente që të hapet rast. Në ato rrethana nuk ka pasur elemente të veprës penale”– ka thënë Podvorica për KALLXO.com.
Në lidhje me rastin, presidentja u shpreh se disa gazetarë kanë publikuar pamje të vajzave të saj, vendndodhjen, klasat dhe rutinën e tyre ditore, duke i ekspozuar ato ndaj rrezikut të sulmeve, kërcënimeve apo edhe rrëmbimeve. Ajo paralajmëroi ndërmarrjen e çdo mase ligjore për të mbrojtur fëmijët e saj nga “përndjekja e përsëritur” dhe veprimet që ajo i konsideron të rrezikshme dhe të paligjshme.



