1756382735_mashtrimionlinepermestxex.png

Të dëmaskuar publikisht nga denoncimet mediatike e publike të ditëve të fundit, organizatorët e skemës piramidale të gjoja investimit në kriptovaluta në Shqipëri kanë mbyllur grupet e mëdha të komunikimit dhe janë shpërndarë në celula organizative të ngushta kryesisht në Telegram.

VoxNews siguroi aksesin dhe përmbajtjen e komunikimeve në një prej tyre në Telegram me vetëm 17 anëtarë. Grupi mban emrin ‘TXEX Group Alert’ dhe Themeluesi i tij vetëidentifikohet me nofkën ‘Po unë Jam’, ndërsa mes anëtarëve nuk mungojnë edhe pseudonime ironike, si ai i përdoruesit me nofkën ‘Maksude Kadena’, emri i themelueses dhe pronares së firmës piramidale ‘Sudja’, që zgjeroi skemën e mashtrimit financiar kryesisht në Tiranë në vitet 1993-1997.

Në të njëjtin grup, një përdorues i Telegramit që vetëidentifikohet me një emër amerikano-latin denoncon një personazh me emrin Kevin Dove, që sipas tij ka përfituar 400 mijë euro brenda 20 ditëve nga skema e mashtrimit.

Sipas këtij denoncimi dhe nisur nga fakti që emri ‘Kevin’ përmendet edhe nga themeluesi i grupit, dyshohet se Kevin Dove është ose organizatori, ose të paktën njëri prej kontakteve të personave përgjegjës të përhapjes së skemës së mashtrimit financiar në vendin tonë.

Komunikimet mes anëtarëve dhe themeluesit të këtij grupit nënkuptojnë se ata janë të vetëdijshëm se skema e mashtrimit nuk do të zgjasë shumë dhe se ata që përfshihen të parët në të do të jenë edhe përfituesit më të mëdhenj.

Përveç kësaj, themeluesi i grupit është përditësuar edhe me denoncimet e vazhdueshme publike të këtyre skemave, pasi pyet të tjerë nëse është e vërtetë që edhe platforma XUEX ka bllokuar tërheqjen e parave, siç deklaron deputeti socialist Erion Braçe.

Në Shqipëri besohet se janë mbi 6 mijë viktima të kësaj skeme mashtrimi, ku çdo pjesëmarrës ka investuar të paktën 1 mijë euro. Shifra konfirmohet tërthorazi nga numri i anëtarëve të grupit të Telegram, të mbyllur tashmë ‘TXEX Albania’, ku në përbërje të tij ishin mbi 10 mijë të tillë.

E njëjta skemë është përhapur edhe në Rumani dhe në Itali, por nuk ka ende një shifër për përmasat reale të saj në këto dy vende.