Një ngjarje e rëndë është zbardhur nga Policia në Durrës, ku fillimisht u raportua se një 59-vjeçar kishte humbur jetën për shkaqe natyrale, por hetimet kanë nxjerrë një tjetër version dhe një 42-vjeçar është vënë në pranga.
Ngjarja ka ndodhur më 13 prill të këtij viti, në lagjen nr. 18 të Durrësit, ku shtetasi me iniciale G.K., 42 vjeç, është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin S.M., 59 vjeç.
Gjatë konfliktit, 42-vjeçari e ka goditur me grushte, duke bërë që viktima të humbasë ndjenjat dhe të rrëzohet në asfalt, ku më pas ka ndërruar jetë.
“Specialistët për hetimin e krimeve ndaj personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bazuar në dyshimet e arsyeshme të krijuara pas humbjes së jetës së 59-vjeçarit, shtetasit S.M., ku paraprakisht u dyshua se humbi jetën për shkak të arrestit kardiak, vijuan veprimet për zbardhjen e shkakut të humbjes së jetës.
Pas veprimeve intensive hetimore të kryera, rezultoi se shtetasi G.K., 42 vjeç, më datë 13.04.2026, në lagjen nr. 18, Durrës, është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin S.M., 59 vjeç, dhe më pas e ka goditur me grushte, si pasojë shtetasi S.M. ka humbur ndjenjat, ka rënë në asfalt dhe më pas ka humbur jetën.
Fillimisht u raportua se ky shtetas ka humbur jetën për shkaqe natyrale, por pas dyshimeve të krijuara dhe nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, nën drejtimin e Prokurorisë, rezultoi se ky shtetas nuk ka humbur jetën si pasojë e arrestit kardiak.”, njoftojnë uniformat blu.
Në përfundim të veprimeve, 42-vjeçari u ndalua dhe ndaj tij nisi procedimi për “vrasje nga pakujdesia”.



