Në një intervistë për Euronews Albania, Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka paralajmruar se mund të ketë persona të tjerë që mund të shpallen “Non Grata” nga qeveria shqiptare për shkak se mund të kërcënojnë sigurinë kombëtare të vendit.
“Atëherë, unë e thashë pak më herët, më lejoni ta ripërsëris. Çdo javë, unë kam në tryezën time me dhjetëra kërkesa që vijnë nga agjencitë e zbatimit të ligjit. Kjo është një punë dinamike që vijon ditë pas dite. Dhe nëse qëllon që këta persona të jenë qoftë të përfshirë në krim të organizuar, në krime të rënda, në mashtrime, në shantazhe që u bëhen qytetarëve shqiptarë. Ndonëse qëllon që këta persona marrin pjesë, krahas aktivitetit të tyre të përditshëm, sigurisht thashë të rrezikshëm, marrin pjesë edhe në protestë, kjo nuk do të thotë që ne do të stepemi. Detyra jonë është të bëjmë zbatimin pikë për pikë të ligjit, sepse në fund të ditës, pa dallim të nuancave apo të situatave të ndryshme politike, Policia e Shtetit duhet të jetë në krye të detyrës dhe të mbrojë qytetarët shqiptarë. Dhe, pa u stepur as nga presioni publik që mund të krijohet edhe nga gjykimet e ndryshme që mund të vijnë. Por, patjetër kjo është detyra ime, kjo është detyra e qeverisë shqiptare, për këtë jemi besuar dhe mbi të gjitha prevalon interesi publik..”, tha Lamallari.



