Një shtetas turk është plagosur me armë zjarri mbrëmjen e së dielës në Tiranë, në një ngjarje që mbetet ende e paqartë për autoritetet.
Personi i plagosur është identifikuar si Halil Uçar, 39 vjeç, i cili sipas të dhënave paraprake dyshohet se është qëlluar me armë zjarri brenda një lokali në zonën e Saukut.
Pas plagosjes, 39-vjeçari është paraqitur për ndihmë mjekësore në spital. Burime nga policia bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Deri në këtë fazë të hetimit, nuk ka informacion mbi rrethanat e ngjarjes apo mbi autorin e dyshuar të plagosjes.
Policia e Tiranës konfirmoi se ngjarja është raportuar rreth orës 19:25, kur shtetasi turk është paraqitur në spital me plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, dyshohet se plagosja ka ndodhur në një lokal në zonën e Saukut.
Grupi hetimor ndodhet në terren dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.



