idan avishai jet bank izraelitet shqiperi

Një nga projektet më të diskutueshme të reja në sistemin bankar shqiptar, banka plotësisht digjitale Jet Bank, rezulton të ketë si investitor kryesor një biznesmen të lidhur me industrinë globale të platformave të tregtimit online, të njohura gjerësisht si FOREX.

Dokumentet zyrtare të strukturës aksionare tregojnë se kontrolli i bankës lidhet përfundimisht me shtetasin izraelito-britanik Idan Avishai. Ai shfaqet si aksioneri kryesor indirekt përmes një rrjeti kompanish të regjistruara në disa juridiksione, kryesisht në Qipro, Izrael dhe Holandë.

Struktura formale e bankës kalon përmes Jet Holdings, një shoqëri holding e regjistruar në Holandë në shtator 2025 me një kapital të deklaruar relativisht modest. Aksioneri më i madh në këtë kompani është shoqëria qipriote Constador LTD, e cila zotëron rreth 71.5% të aksioneve.

Sipas regjistrit të bizneseve në Qipro, pronari i vetëm i kësaj kompanie është pikërisht Idan Avishai.

 

Pjesa tjetër e aksioneve ndahet mes disa kompanive të tjera të regjistruara në Izrael, si Don Albania Holdings, Ori Eyal LTD, Yebogogo LTD, Nathan Lawrence LTD dhe Israel Albania Holding LTD. Edhe pse pronarët e këtyre shoqërive nuk janë publikë, ligji shqiptar kërkon deklarimin e pronarëve përfitues vetëm për aksionerët që kontrollojnë mbi 25% të kapitalit, çka në këtë rast nuk ndodh për kompanitë e tjera përveç Constador LTD.

Përmes kësaj strukture të fragmentuar aksionare, Avishai rezulton të jetë investitori kryesor dhe vendimmarrësi real pas Jet Bank.

Banka e Shqipërisë i dha në dhjetor të vitit të kaluar miratimin paraprak këtij projekti për të ngritur një bankë plotësisht digjitale në Shqipëri. Sipas procedurës ligjore, institucioni duhet të plotësojë brenda 12 muajve të gjitha kriteret për të marrë licencën përfundimtare për operim bankar.

Megjithatë, procesi i licencimit nuk ka kaluar pa debate. Brenda strukturave të Bankës së Shqipërisë ka pasur rezerva lidhur me profilin e investitorëve, ndërsa sipas burimeve nga sektori financiar një drejtues në departamentin e mbikëqyrjes ka dhënë dorëheqjen pa firmosur dokumentet për miratimin paraprak të bankës.

Profili i biznesmenit Idan Avishai mbetet relativisht i ulët në publik, por aktiviteti i tij lidhet kryesisht me sektorin e platformave të tregtimit online të valutave dhe instrumenteve financiare.

Të dhëna të tërthorta tregojnë se ai mund të jetë i lidhur me platformën Fortrade, një rrjet ndërkombëtar kompanish që ofrojnë tregtim në valutë të huaj dhe kontrata financiare për diferencë (CFD). Një nga drejtuesit e Jet Holdings, Louis Grant Silver, rezulton njëkohësisht drejtor në kompaninë britanike Fortrade Limited dhe në Constador LTD, aksionerin kryesor të Jet Holdings.

Edhe një tjetër emër në strukturën drejtuese të Jet Bank, Oliver Hemmer, rezulton i lidhur me industrinë e platformave të tregtimit online. Ai ka qenë më parë drejtor në Fortrade Cyprus LTD dhe gjithashtu ka pasur rol drejtues në Jet Albania, kompania që parapriu krijimin e Jet Bank.

Platforma Fortrade u raportua në vitin 2018 nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në Shqipëri për ushtrim aktiviteti financiar të palicencuar në territorin shqiptar. Paralajmërime të ngjashme për këtë platformë janë raportuar edhe nga autoritete rregullatore në vende të tjera europiane.

Aktiviteti i platformave të tregtimit online është në vetvete i ligjshëm nëse licencohet dhe mbikëqyret nga autoritetet përkatëse. Megjithatë, produktet që ato ofrojnë shpesh konsiderohen me rrezik të lartë për investitorët e vegjël dhe në disa vende janë të kufizuara ose të ndaluara për publikun e gjerë.

Pikërisht reputacioni i diskutueshëm i kësaj industrie ka ngritur pikëpyetje në lidhje me përshtatshmërinë e investitorëve që lidhen me të për të kontrolluar institucione bankare që menaxhojnë depozitat e publikut.

Administratore e bankës do të jetë Fatbardha Rino, një figurë e njohur në sektorin financiar në Shqipëri, duke mbajtur më parë poste drejtuese në banka të nivelit të dytë si dhe postin e drejtoreshës ekzekutive e Iute Pay, një institucion financiar i akuzuar shpesh për manipulime dhe mashtrime me mikrokreditë.

Anëtarë të tjerë të bordit të bankës janë Oliver Hemmer dhe Rami Solomon, gjithashtu me origjinë izraelite.

Idan Avishai ka mbajtur deri tani një profil të ulët dhe informacioni publik rreth tij është i pakët, ndërsa sipas profilit të tij në Linkedin, përvoja e tij është e lidhur kryesisht me aktivitetin e platformave të tregtimit online ose siç njihen në zhargonin financiar “platforma forex”.

Ndërkohë, dy emrat e tjerë izraelit, anëtarë bordi, janë gati anonim me shumë pak të dhëna në internet, dhe ngrenë pikëyetje mbi qëllimet dhe sfondin e bankës, duke lënë hapësirë për pasiguri tek publiku dhe investitorët e mundshëm.

I veti informacion relevant për Oliver Hemmer, është një material i vitti 2019 ku thuhet se zyrtarët federalë po hetojnë një kompani të paregjistruar me seli në Berlin të Gjermanisë, të quajtur Gal Blocklntl Ltd (platforma “4XFX”), e cila vepronte pa autorizimin e duhur. Sipas materialit, drejtori menaxhues i kompanisë, Oliver Hemmer, po drejtonte një skemë mashtrimi të quajtur “4XFX” dhe se ai po hetohej gjithashtu si përfituesi kryesor. Në lidhje me këtë çështje janë paraqitur raporte për kompaninë në Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë dhe Estoni, dhe Australi. (https://www.scribd.com/document/714449499/report-for-the-fraudulent-activities-4xfx-com)

Në lidhje me skemën e mashtrimit të platformës “4XFX”, institucione të rëndësishme kanë publikuar njoftime ku kane denoncuar skemën. (Denoncimi i FCA britanike dhe denoncimi nga autoritetet financiare të Australisë)

4XFX ishte një platformë mashtruese dhe e parregulluar e tregtimit të kriptomonedhave dhe forex-it që synonte investitorët në vende të shumta (Mbretëria e Bashkuar, Kanada, Australi) rreth vitit 2019, duke pretenduar se ofronte tregtim bitcoin, ari dhe nafte, por në vend të kësaj mashtronte përdoruesit, me organe rregullatore si FCA dhe MSC që lëshonin paralajmërime, dhe faqja e internetit e platformës më vonë u mbyll. Është një shembull klasik i një skeme të palicencuar ku përdoruesit humbasin para, duke çuar shpesh në mashtrime pasuese të “dhomës së rikuperimit”.

Ndërkohë, ekspertë të ekonomisë kanë ngritur shqetësime për transparencën dhe stabilitetin e projektit, duke argumentuar se një bankë e re digjitale duhet të ketë një strukturë shumë të fortë kapitali dhe mbikëqyrje të rreptë për të garantuar sigurinë e depozitave të qytetarëve.

Sipas tyre, mungesa e transparencës së plotë mbi pronësinë dhe lidhjet me sektorë financiarë me reputacion të diskutueshëm mund të krijojë rreziqe për besimin në sistemin bankar.

Në këtë sfond, hyrja e Jet Bank në tregun shqiptar shihet nga njëra anë si një hap drejt modernizimit të shërbimeve financiare, por nga ana tjetër si një projekt që ngre pikëpyetje serioze mbi profilin e investitorëve dhe ndikimin që mund të ketë në stabilitetin e sektorit bankar. /gazetajone