Një tjetër episod i dyshimtë me lëndë shpërthyese ka tronditur qytetin bregdetar, duke rikthyer në qendër të vëmendjes emrin e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.
Një sasi tritoli u gjet mbrëmjen e sotme pranë hyrjes së hotelit të familjes së tij, duke shkaktuar panik mes qytetarëve dhe turistëve që ndodheshin në zonë. Sipas policisë, lënda plasëse ishte vendosur brenda një çante, pranë një vazoje me lule, ndërsa për neutralizimin e saj u angazhuan forcat antieksploziv të RENEA-s, të cilat e shpërthyen në mënyrë të kontrolluar. Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar, por zona përreth u evakuua dhe mbeti për orë të tëra nën mbikëqyrje të rreptë.
Ky nuk është rasti i parë që emri i Dakos lidhet me episode të tilla. Vetëm disa muaj më parë, një tjetër sasi lënde eksplozive u gjet pranë një makine në Durrës, ku fillimisht u raportua se lënda kishte “rënë” nga një automjet në lëvizje. Rasti mbeti pa një sqarim përfundimtar, duke ngritur dyshime mbi një seri kërcënimesh të përsëritura.
Policia e Durrësit njoftoi se lënda e gjetur në hyrje të ish-hotelit, tashmë jashtë funksionit, dyshohet të jetë artizanale dhe e lidhur me një mekanizëm celulari. Grupi hetimor, në bashkëpunim me Njësinë Antieksploziv të RENEA-s, po kryen verifikimet për të përcaktuar llojin e eksplozivit dhe për të identifikuar autorët.
Ngjarja ngre një pyetje të madhe: kush po e kërcënon ish-kryebashkiakun e Durrësit? Episodet e përsëritura me tritol pranë pronave të tij apo të familjes lënë hapur skenarin e një presioni të vazhdueshëm ndaj Dakos, i cili ndodhet nën akuzë në disa procese hetimore.
Hetimet janë ende në zhvillim, ndërsa qytetarët e Durrësit janë lënë mes pasigurisë dhe dyshimeve për një prapaskenë që ende nuk është zbardhur plotësisht. /gazetajone



