Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e biznesmenit italian Edoardo Sarchi mesnatën e 27 shtatorit. Kushëriri i tij ka ngritur dyshimet se ngjarja ka ardhur si shkak i një grindjeje me djemtë e ortakut të biznezmenit, Eqerem Braçit.
Në një intervistë për La Repubblica, Riccardo Barbieri, i afërmi i 44-vjeçarit të ndjerë, shprehet se nuk e kuptojnë pse u vra Edoardo dhe shpreson që autoritetet shqiptare të zbardhin plotësisht situatën. Kushëriri i tij dyshon se vrasja ka ndodhur si shkak i një sherri mes biznesmenit italian dhe Gazmendi dhe Danieli Braçit, dy djemve të ortakut në Shqipëri.
“Lajmet që po marrim vijnë nga gazetat lokale. Lajmet në televizion, në këtë kohë, nuk po japin asnjë siguri për atë që ka ndodhur. Funerali do të jetë sot. Është një humbje e tmerrshme. Edoardo ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve. Ai ishte një person i bukur, i sinqertë dhe i butë. Diçka ka ndodhur me dy fëmijët e ortakut të tij; mendojmë se ishte një sherr. Por vetëm hetimi do të sqarojë gjithçka. Nuk mund ta kuptojmë pse u vra Edoardo; po presim motivet pas kësaj vrasjeje të tmerrshme. Si mundën t’ia bënin këtë kushëririt tim?”-shprehet Riccardo Barbieri.
Çfarë dihet deri tani
Ngjarja e rëndë ndodhi pas mesnatës së 27 shtatorit në fshatin Salari të Tepelenë, ku biznesmeni italiani mendohet se vdiq nga hemorragjia nga një plagë në këmbë, në arteriren kryesore. Edoardo Sarchi, administrator i një fabrike të madhe tullash në Tiranë që prej thuajse 20 vitesh jetonte në Shqipëri kishte dalë për gjah me katër persona. Biznesmeni dhe personat që e shoqëronin kishin udhëtuar me dy makina, një “Land Rover” dhe një “Volkswagen”. Mes tyre ishte ortaku i tij i biznesit, Eqrem Braçi dhe dy djemtë e tij, Gazmenti dhe Danieli, të cilët u shoqëruan në Polici dhe më pas u lanë të lirë, ndërsa identiteti i personit të katërt nuk eshte bere ende i ditur.
Para hetuesve ortaku i tij i biznesit, Eqrem Braçi dhe dy djemtë e tij, një herë kanë folur për persona që u dolën para dhe u bënë pritë duke i qëlluar me armë. Më tej kanë thënë se e gjetën italianin në rrugë të vdekur, e në një version tjetër, se e panë të plagosur dhe u vdiq në duar. 2 armë gjahu u gjetën në vendngjarje janë dërguar për ekzaminim nëse janë bërë qitje prej tyre apo jo. Ndërkohë janë gjetur edhe shenja gjaku pranë makinës Land Rover, që përshkojnë një pjesë të vogël të rrugës, duke treguar se italiani është lëvizur nga vendi ku është qëlluar me armë.



