Elisa Spiropali ka zgjedhur t’i përgjigjet largimit nga forumet drejtuese të Partisë Socialiste me një deklaratë të gjatë, ku politika përzihet me mitologjinë, perandoritë e lashta, kafshët e malit dhe fenomenet më të fuqishme të natyrës.
Ish-kryetarja e Kuvendit duket e habitur nga habia e të tjerëve për atë që i ndodhi në një mbledhje të PS-së. Për të shpjeguar se nuk është mposhtur, ajo e krahason veten me një qenie mitologjike, së cilës, nëse i pritet një kokë, i dalin shtatë të tjera.
Por një kokë nuk mjafton për të përshkruar qëndresën e saj. Spiropali shkon më tej, duke imagjinuar se çfarë do të bënte po të ishte Perandoreshë e Kinës apo Kleopatra. Në rastin e parë do të ndërtonte një Mur Kinez njëqind herë më të gjatë, ndërsa në të dytin do të dënonte ose falte këdo që e meritonte, përpara se të flinte e qetë.
Më pas vjen një inventar i pazakontë krahasimesh. Spiropali duron si deveja, pret si ariu, ngjitet nëpër shkëmbinj si dhia dhe ngul këmbë si mushka. Për të treguar se pushteti nuk ka rëndësi për të, shpjegon se nuk i bën përshtypje as froni, as kolltuku.
Në një tjetër pjesë të deklaratës, ish-drejtuesja socialiste merr përmasa kozmike.
“Unë jam ajo që fryj erën, sjell shiun, lëshoj breshërin, ngre cunamin, thaj detet, rrafshoj malet, nxij ditën, zbardh natën”, shkruan ajo.
Spiropali deklaron gjithashtu se nuk lexon portale, nuk dëgjon televizione dhe nuk merret me ato që i quan intriga e shpifje. Në vend të tyre lexon libra, vetëm në letër. Nuk preferon as havjarin, as shampanjën, por byrekun me spinaq ose hithra dhe dhallën në fshatrat shqiptare.
Sa për librat, Spiropali ka dhënë më parë edhe një dëshmi të veçantë për njohuritë e saj letrare. Në një intervistë për ABC News, më 7 mars 2019, ajo deklaronte: “Don Kishoti është një figurë romantike dhe shumë komplekse e letërsisë shqiptare”.
Deklarata, e raportuar edhe nga mediat e kohës, e vendoste personazhin e famshëm të Miguel de Cervantesit në letërsinë shqiptare. Një hollësi që merr kuptim të veçantë tani që ish-kryetarja e Kuvendit deklaron se leximi i librave është alternativa e saj ndaj televizioneve dhe portaleve.
Në fund, ajo thotë se ka dhjetë milionë zemra të kuqe për t’ua falur shqiptarëve dhe e mbyll deklaratën me fjalët: “Kjo jam unë. Të tjerat janë llafe kafaneje.”
E gjithë kjo deklaratë, nga Perandoria Kineze te Kleopatra, nga deveja te cunami dhe nga Muri Kinez te dhjetë milionë zemrat, vjen pas humbjes së një pozicioni në strukturat drejtuese të Partisë Socialiste.
Në fund të fundit, në PS u zhvillua një mbledhje. Në rrëfimin e Spiropalit, pothuajse u rishkrua historia e njerëzimit.



