shnin

Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu ka paralajmëruar ndryshimin e emrit të qytezës turistike të Shëngjinit. Ai thotë se emërtimi i ri mund të jetë “Willson” në nder të Presidentin të 28-të të SHBA, Woodrow Willson.

Ndreu ndan vendimin e marrë nga Fan Noli në bujën që ai ka pasur në Amerikë, kur “Associated Press” raportoi për nderin që i kishin bërë shqiptarët presidentit të tyre.

“Me nje dekret te vitit 1924, Fan Noli, emertoi Shengjinin me emerin “Willson”, ne nder te Presidentit Amerikan te asaj kohe, Willson!

Shoqata “Vatra” ja komunikoi vendimin agjensise “Associated press” e cila e shperndau ne gjithe shtypin amerikan. Amerikanet shprehen mirenjohjen e tyre per nderin qe vendi yne ju beri! Po sikur ta ribejme perseri vendimin?!”, shkruan në Facebook kryebashkiaku Pjerin Ndreu.

Në nder të Woodrow Willson është një shesh në Tiranë, ku është vendosur edhe busti i tij. Më herët, kryebashkiakë të tjerë kanë guxuar me përdorimin e emrave të presidentëve amerikanë, kryesisht të rrugëve. Shembulli është Xhelal Mziu, ish-kryebashkiak i Kamzës që ka emëruar një rrugë me emrin e ‘Donald Trump’, ndërkohë që edhe një rrugë tjetër në Tiranë është emërtuar ‘Xhorxh W Bush’, ndërsa në Sarandë disa vite më parë u vendos një bust i Hillary Clinton, që më pas u zhvendos pasi ajo humbi zgjedhjet në SHBA.

Refuzimi i Woodrow Willson ndaj planeve për ndarjen e Shqipërisë do t’i siguronte ish-Presidentit amerikan një vend nderi në historinë shqiptare.

Po të mos kishte ndërhyrë Woodrow Wilson, kishte shumë gjasa që Shqipëria të ishte më e vogël se sa është sot.