Personi që shikoni në foton e mësipërme (djathtas) është Nehat Kulla, ndërsa majtas Klodian Kulla, nipi i tij i cili dyshohet se u hodh nga ura në Mat mbrëmjen e kaluar dhe për pasojë humbi jetën.
Sipas policisë i riu dyshohet se është vetëhedhur për arsye ende të paqarta, ndërsa nuk përjashtohet edhe pista e ndonjë vrasje të mundshme, nisur nga e kaluara e errët e xhaxhait të tij, Nehat Kulla.
Kush ishte Nehat Kulla?
Nehat Kulla, i njohur ndryshe me nofkën gjenerali, u arrestua në vitin 2005 pas dënimit me 20 vite burg për vrasjen me paramendim të shtetasit Halim Gjuzi, ish-shofer i ish-zv/ministrit të Arsimit, Halit Shamata. Ai u dënua edhe për armëmbajtje pa leje.
Kërkesa për lirimin nga burgu
I ashtuquajturi ‘Gjenerali’ kishte depozituar më 29 qershor të 2018-ës një kërkesë ku kërkonte lirimin për sjellje të mirë dhe për shkak të problemeve me shëndetin. Kulla përfitoi asokohe 5 vjet ulje dënimi.
Banda e Nehat Kullës

Banda e Nehat Kullës ishte një grup kriminal që veproi në fshatin Tufinë të Tiranës në vitet 1997-1998.
Aktiviteti i bandës
Banda u krijua gjatë trazirave të vitit 1997. Në këtë situatë ai së bashku me familjarë e miq të tij mban të paprekur repartin “xhenios”, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve të popullsisë. Kulla, së bashku me të ashtuquajturit ushtarë të tij, e mban repartin nën kontroll për disa kohë, duke i vënë vetës edhe nofkën gjenerali, emër të cilin ia pagëzuan të gjithë banorët e zonës për të cilët ai ishte njeriu më me influencë. Madje, gjatë vitit 1997, kur shteti kishte humbur kuptimin e vet, ai arrin të krijojë një komisariat të mirëfilltë policie, ku u garantonte banorëve të Kinostudios dhe Tufinës qetësinë, duke mos lejuar asnjëri të futej në hartën e vendit ku ai kishte ndikimin e tij. Banda e tij kreu shumë vrasje dhe krime të tjera të frikshme.
Nofka “Gjenerali”

Nehat Kulla, ish-i forti i Tiranës në vitin e mbrapshtë 1997, do të vetëquhej Gjenerali pasi kishte grabitur një kamionçinë ushtarake tip Shevrolet (Chevrolet) me targa ushtrie dhe sinjale policie dhe mbante veshur uniformë ushtarake. Të paktën, atë kohë, i vetmi mjet i tillë që ndodhej në Shqipëri i përkiste Kullës, i cili madje ka pozuar për mediat me uniformë dhe kallashnikov në dorë. Ai shoqërohej gjithmonë nga një eskortë e armatosur me automatikë dhe vetë asnjëherë nuk e lëshonte automatikun nga dora.
Nehat Kulla ndërroi jetë në moshën 67-vjeçare, më 16 qershor të vitit 2020. Shkak për vdekjen mësohet se ka qenë një infarkt kardiak.



