punetor ndertim

Sektori i ndërtimit në Shqipëri po jep sinjale të forta ngadalësimi, ndërsa kompanitë raportojnë rënie të porosive dhe dobësim të aktivitetit. Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se besimi në këtë sektor ka pësuar një rënie të ndjeshme gjatë muajit tetor.

Sipas Vrojtimit të Besimit të Biznesit dhe Konsumatorëve, të publikuar më 2 nëntor 2026, treguesi i besimit në ndërtim ra me 5.7 pikë përqindje krahasuar me muajin e mëparshëm.

Rënia lidhet kryesisht me vlerësimet më negative të kompanive për kontratat porositëse, një tregues i rëndësishëm për ecurinë e ardhshme të sektorit.

Konkretisht, balanca e kontratave porositëse u përkeqësua nga -15 pikë përqindje në shtator në -24.9 pikë në tetor, duke reflektuar dobësimin e porosive të raportuara nga bizneset.

Edhe treguesi i aktivitetit ndërtues gjatë tre muajve të fundit pësoi rënie, nga 14.5 në 13 pikë përqindje.

Një tjetër sinjal vjen nga pritjet për çmimet e ardhshme në sektorin e ndërtimit, të cilat ranë nga 14.8 në 11.8 pikë përqindje.

Këta tregues sugjerojnë një zbutje të ritmit të aktivitetit dhe të pritjeve për rritjen e çmimeve, megjithëse besimi në ndërtim vazhdon të qëndrojë 11.5 pikë përqindje mbi mesataren historike.

Por ndërtimi nuk është i vetmi sektor që po shfaq shenja dobësimi.

Banka e Shqipërisë konstaton se edhe tregtia ka regjistruar një rënie të besimit me 3.5 pikë përqindje gjatë tetorit.

Bizneset tregtare kanë raportuar vlerësime më pak optimiste për shitjet aktuale, ndërsa janë përkeqësuar edhe pritjet për porositë dhe punësimin.

Balanca e shitjeve ra nga 18.3 në 13.8 pikë përqindje, ndërsa pritjet për porositë e ardhshme zbritën nga 17.7 në 12.3 pikë.

Paralelisht, pritjet për punësimin në tregti ranë nga 4.4 në 1.8 pikë përqindje, duke treguar një qëndrim më të rezervuar të bizneseve për zgjerimin e stafit.

Situata paraqitet ndryshe në industri dhe shërbime, ku besimi është përmirësuar përkatësisht me 2.5 dhe 3.2 pikë përqindje.

Megjithatë, edhe brenda industrisë shfaqen sinjale negative, pasi balanca e porosive nga eksportet ra nga -16.8 në -21.3 pikë përqindje.

Nga ana tjetër, besimi i konsumatorëve u përmirësua me 1.1 pikë përqindje, i mbështetur nga pritjet më pozitive për gjendjen financiare dhe blerjet e mëdha.

Në tërësi, treguesi i ndjesisë ekonomike në Shqipëri u rrit me vetëm 0.4 pikë gjatë tetorit, duke qëndruar 8 pikë mbi mesataren historike.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë kështu një ecuri të diferencuar të ekonomisë shqiptare, ku përmirësimi i industrisë dhe shërbimeve shoqërohet me dobësim të besimit në dy sektorë të rëndësishëm, ndërtimin dhe tregtinë. /skyweb.al