Një tjetër ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur paraditen e sotme qytetin e Shkodrës. Një person ka mbetur i vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur në një atentat me armë zjarri të ndodhur në një lokal pranë godinës së bashkisë.
Viktimë e atentatit mbeti Armando Pali, ish-punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT). Ndërsa në gjendje kritike për jetën ndodhet Erogen Vaso, i njohur edhe si Erogen Brajoviç, i cili u transportua me urgjencë në spital. Përveç tij, janë plagosur edhe dy persona të tjerë, mes tyre një grua që punonte si kamariere në lokal dhe një tjetër klient.
Policia bëri të ditur se Rakip Gila është autori i dyshuar i masakrës. Ai u arrestua pak pas ngjarjes dhe forcat e rendit sekuestruan armën e krimit dhe motorin që ai përdori për t’u larguar. Mjeti u kap pasi autori pësoi aksident në dalje të Shkodrës, në zonën e Urës së Trenit. Pas aksidentit, ai u përpoq të largohej me vrap përgjatë lumit Kir, por u ndalua nga policia.
Erogen Vaso alias Brajoviç është një emër i njohur për policinë. Ai është vëllai i Denis Brajoviç, i arrestuar më herët, dhe në korrik të vitit 2023 u përmend si pjesë e grupit të Bajrave në Shkodër. Gjithashtu, ai ka qenë anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e drejtuar nga Vangjel Dule, ndërkohë që emri i tij është lidhur edhe me aktivitete kriminale.
Forca të shumta policore kanë rrethuar zonën dhe vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivet e atentatit.
Ngjarja e sotme shton bilancin e rëndë të dhunës kriminale në Shkodër. Më 4 shtator u ekzekutua 34-vjeçari Kristian Kola, ndërsa më 28 gusht u vra me armë zjarri Piro Prroni në fshatin Abat të Shalës. Seria e vrasjeve ka rritur ndjeshëm ndjesinë e pasigurisë mes qytetarëve të Shkodrës./gazetajone



