IMG_4681

Izraeli ka pranuar planin 20-pikësh për Gazën, ndërsa Hamas ende nuk ka dhënë miratimin.

Propozimi parashikon ndërprerjen e menjëhershme të operacioneve ushtarake, ngrirjen e linjave të betejës dhe dorëzimin e armëve nga Hamas. Brenda 72 orëve, Hamas duhet të lirojë 20 pengje izraelitë të gjallë dhe trupat e pajetë. Pas kësaj, Izraeli do të lirojë qindra të burgosur palestinezë.

Plani përfshin gjithashtu krijimin e një komiteti palestinez, pa rol për Hamasin, nën mbikëqyrjen e një organi ndërkombëtar tranzitor, “Board of Peace”, të drejtuar nga Trump.

Ndërkohë, SHBA-të propozojnë një plan zhvillimi ekonomik për rindërtimin e Gazës dhe lënë hapur mundësinë e krijimit të një shteti palestinez në të ardhmen.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, deklaroi se shumë palestinezë dëshirojnë të jetojnë në paqe, por duhet “të marrin përgjegjësi” për fatin e tyre.

Ai shtoi se palestinezët kanë pasur një “jetë të vështirë” nën qeverisjen e Hamasit.

Megjithatë, Trump paralajmëroi se nëse palestinezët nuk pranojnë planin e tij, atëherë vetëm vetë ata janë përgjegjës për pasojat.

Trump: Nëse Hamasi refuzon marrëveshjen, SHBA-të do mbështesin vijimin e sulmeve në Gaza

Trump deklaroi se në rast se Hamasi nuk pranon planin e paqes që ai ka propozuar për Gazën, Shtetet e Bashkuara do të mbështesin vazhdimin e sulmeve izraelite.

“Është koha që Hamasi të pranojë kushtet e planit që kemi paraqitur sot”, tha Trump, duke theksuar se pas humbjeve të mëdha njerëzore, mund të ketë gatishmëri të re nga ana e Hamasit. “Ky është një Hamasi tjetër nga ai që kemi pasur përballë, sepse janë vrarë mbi 20,000 veta”, u shpreh Trump.

Ai shtoi se udhëheqja e Hamasit është goditur rëndë, duke thënë se “janë vrarë tri herë më shumë se më parë”.

Trump gjithashtu pretendoi se Izraeli dhe aleatët rajonalë janë dakord me propozimin e tij prej 20 pikash, por se ende duhet të bindin Hamasin që ta pranojë.

“Nëse Hamasi refuzon marrëveshjen, që gjithmonë është e mundur, ata janë të vetmit që mbeten fajtorë”, tha Trump, duke iu drejtuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. “Por nëse nuk zbatojnë marrëveshjen, siç e di ti Bibi, do të kesh mbështetje më të plotë, për të bërë, atë që duhet të bësh”.