Inside Story, ka siguruar materiale që zbulojnë infiltrimin e oficerit të policisë brenda grupit të trafikut të emigrantëve përmes pasaportave false. Puna operative është prova më e fortë e trafikut drejt SHBA-së, Britanisë, Kanadasë, Australisë e më gjerë.
Në dosje, agjenti i identifikuar me numrin kodik 341, është futur direkt në biseda me Njazi Ademajn, personin që i ka siguruar pasaportë, kartë identiteti dhe leje drejtimi false.
Agjenti i ka kërkuar nëse mund të kthehej nga Anglia ku qëndronte ilegalisht, pasi kishte babain e sëmurë, por duhej ti jepte garanci se do të arrinte ta çonte sërish në ishullin britanik. Biseda mes tyre u ka dhënë shumë kontekst personave për të arritur të vërtetojnë veprimtarinë dhe për të zbërthyer grupin kriminal. Ky komunikim është zhvilluar më 17 shkurt 2024.
Njazi Ademaj: Alo
Agjenti: O vlla si je? A je lodh najçik?
Ademaj: Për zotin nga një fije kështu.
Agjenti: Mirë shumë. Ore këtë numrin ma dhanë në Londër këtu, ke kohë të flasësh një minutë?
Ademaj: Po, po vazhdo…
Agjenti: Tani jam këtu në Londër, dëgjon. Jam në Londër të them, do vij në Shqipëri se kam plakun pak sëmurë… kur të vij bëjmë ndonjë takim për ndonjë gjë?
Ademaj: Po si more vëllaçko…
Agjenti: ëëëë
Ademaj: Po si o vëllai.
Agjenti: Se dua të iki prap këndej or burrë…
Ademaj: Por shih mundësinë hajde te plaku, se andej ja bëjmë dermanin
Agjenti: Prandaj po them, se e di si jam tani…
Nga biseda kuptohet se agjenti ishte njeri i panjohur për Njazi Ademajn. Pavarësisht kësaj, ai i beson dhe avancon më tej. Madje, Ademaj i jep garanci se dokumentet që ata sigurojnë, kanë shkallë thuajse të sigurt suksesi.
Ademaj: o vllaçko, unë garanci 100% nuk të jap, por 99%
Agjenti: O vlla dhe 90 të më japësh jam në rregull unë
Ademaj: 99, 99.
Agjenti: Kur të vij vlla nga java tjetër se jam kështu…
Ademaj: A mund…
Agjenti: Mbaje këtë numër mos harro, shkruaj ndonjëgjë aty…
Ademaj: Mos e vraj mendjen se dhe nëse nuk e kam këtë numër, nëse iki jashtë të shkruaj Bushi.
Më pas agjenti, duke i lënë pak kohë, me datë 11 mars 2024 i shkruan në Whatsapp ku i kërkon takim për të vijuar bisedën e lënë në telefon, në mënyrë që të arrijë qëllimin e tij për tu kthyer sërish në Angli.
Takim mes palëve realizohet ditën e nesërme dhe duket se biseda ka shkuar shumë mirë, pasi Ademaj i ka shpjeguar të gjitha kushtet dhe paratë që duhet të paguajë “klienti i radhës”. Por, faktikisht është agjent i mbuluar policie.
Agjenti nën mbulim me nr. Kodik 341 është takuar me Njazi Ademajn dhe kanë diskutuar për mundësinë e udhëtimit drejt Anglisë me dokumenta false. Ademaj i ka shpjeguar se mund ti ofronin paketë të plotë ku përfshihej kartë identiteti, leje drejtimi, një pasaportë me cip dhe bileta udhëtimit, kundrejt pagesës prej 10 mijë eurosh.
Momentet e dorëzimit të fotove dhe gjithçka janë regjistruar në distancë. Anëtari i grupit të falsifikatorëve i ka shpjeguar se duhet të udhëtonte drejt Barcelonës në Spanjë. Aty do të merrte dokumentat dhe do të nisej drejt Dublinit në Irlandë e më pas drejt Anglisë. Për pagesën, Ademaj i ka kërkuar ta linte garant në Shqipëri dhe pasi të kalonte kufirin të bëhej pagesa nga ai person. Pra, e njëjta skemë me episodet e tjera.
Më 25 mars, Njazi Ademaj i kalon kontaktet e agjencisë “Domi Travel”, oficerit të infiltruar ku i shpjegon se duhej të fliste me ta që të merrte dokumentat në qytetin e tarragonës.
Agjenti është takuar me shoferin e agjencisë Jugert Gashin, pranë hotel “Tarraco Park”. Ky i fundit e drejton te takonte një shtetas tjetër, pasi atje kishte parkuar furgonin dhe ndodheshin dokumentet.
Dorëzimi i vëzhguar nga ana e grupit hetimor është bërë nga shoferi tjetër, Adrian Mema. Ky i fundit i ka dorëzuar pasaportën italiane të falsifikuar me gjeneralitetet e Matteo Ceresa, i datëlindjes 20 janar 1989, i lindur në Bolzano.
Pas këtij takimi, Ademaj i kërkon agjentit të infiltruar foto të pasaportës false dhe asaj shqiptare, në mënyrë që të priste biletat për në Dublin. Grupi kishte njerëz dhe në Spanjë, pasi Ademaj e lidh me një tjetër kontakt të paidentifikuar nga ana e SPAK. Ky i fundit i jep të gjitha udhëzimet se si agjenti duhej të vepronte. Rreth orës 19:00, pasi i ishte kërkuar të shkonte në aeroport, agjentit i dërgohen në telefonin e tij fotot e biletave.
Agjentit i dërgohen fotografi të dy bileta të udhëtimit në Ëhatsapp, një e prerë me pasaportën italiane drejt Dublinit dhe një e prerë me pasaportën shqiptare me kthim në Tiranë. Ai e udhëzoi që gjatë kontrollit fizik, njërën ta mbante me vete dhe njërën ta mbante në duar. Gjatë kontrollit të pasaportave të tregonte pasaportën shqiptare dhe të tregonte se po kthehej në Tiranë, ndërsa më pas të shkonte drejt fluturimit të Dublinit. Nëse në Dublin e kapnin e orientoi ti thoshte autoriteteve se në Shqipëri donin ta vrisnin dhe ta merrte në telefon nëse kishte probleme të tjera, por në asnjë moment nuk i tha se do e takonte, por e sqaroi në cel.
Zbulohen përgjimet e forta të grupit: “O El-Chapo, jemi 10 hapa para shtetit ne, askush nuk na ndal”…
Grupi i strukturuar i falsifikatorëve ishte një pikë referimi jo vetëm për personat me aktivitet në trafiqe, por edhe për qytetarë të zakonshëm që synonin emigrimin në perëndim. Skema ishte e njëjtë për të gjithë planin e kalimit të kufijve që ndiqnin itinerarin tranzit përmes Spanjës, Portugalisë apo Irlandës. Anëtarët e grupit, kujdeseshin të monitoronin dhe siguroheshin për suksesin e kalimit.
Madje, ata qëndronin në distancë në aeroporte duke motoruar klientët e tyre që i pajisnin me dokumente false.
Rreth orës 20:42, kur kishte filluar imbarkimi i fluturimit, u vunë re Armando Luca dhe Robert Gjika, të cilët në momentin që panë prezencën policore duke kontrolluar pasagjerët u kthyen nga kanë ardhur. Të pandehurit vëzhgonin personat të cilat janë të pajisur me dokumente të falsifikuara, nëse janë duke hipur në avion apo jo, për tu siguruar me udhëtimin e tyre.
Kjo skemë kalimi është aplikuar edhe nga mjaft gra dhe vajza që lidhnin kontakt me grupin e falsifikatorëve. Të paktën dy episode janë evidentuar ku dy zonja pajisen me pasaporta false italiane.
Njazi Ademaj, i konsideruar si një prej emrave kryesirë të dosjes së SPAK, njihej mes miqve me nofkën “El Çapo”, njëjtë si një prej trafikantëve më famëkeq të karteleve amerikano-latine. Në bisedat që “El Çapo” bënte me shtetasin Fitim Rama, del në pah siguria që ata kishin fituar, pa e kuptuar se në fakt ishin në përgjim… Madje, ishin shumë pranë prangave…
Njazi Ademaj: Bushi, kur do të vish?
Fitim Rama: Bushi, sonte kysmet nisna. Si te bahen gati ata, une nisna se ma tregoj punen. Kysmet sonte nisna.
Ademaj: A vjen? Po, a jo?
Rama: Tu i prit jam, sa të më thirrin, unë nisa direkt andej.
Ademaj: Ok, më lajmëro.
Ademaj: Avash, avash. Hajde.
Rama: hahaha o bushi, krimin as shiu, as bora, as shteti sun e nal na jemi 10 hapa para shtetit o el qapo…
Ademaj: Haaaa
Bisedat zbulojnë dëgëzimin e dytë të grupit të falsifikatorëve në Kosovë. Atje, kishin bazën tjetër që prodhonte dokumente false dhe siguronte klientë nga Kosova. Personi që merrte porositë në Kosovë ishte Fitim Rama ndërsa pika e kontaktit atje ishte Xhelal Krasniqi. Këto komunikime të përgjuara zbuluan edhe lidhjet e grupit në polici, që i bënte ata të ndjeheshin të paprekshëm. Sipas SPAK, survejimet dhe bisedat e përgjuara konfirmojnë se efektivi Roland Islamaj, kishte dijeni të plotë për veprimtarinë e jashtëligjshme por ka mbyllur sytë.



