Përjashtohet nga radhët e Policisë së Shtetit, Gentian Berberi, ish-drejtuesi i Policisë vendore në qytetin e Shkodrës.
Pak ditë më parë, Berberi u shkarkua nga posti i drejtorit të Policisë së Shkodrës për shkak të performancës së dobët, pas evidentimit dhe asgjësimit të disa parcelave me kanabis në territorin e qarkut.
Pas largimit nga detyra, ai ishte emëruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në sektorin e Analizës.
Por kjo masë duket se nuk i ka pëlqyer. Berberi është paraqitur në zyrën e drejtoreshës së Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme dhe ka përdorur fjalor fyes dhe ka kërcënuar zyrtaren për shkak të uljes së tij në detyrë.
Drejtoresha e Burimeve Njerëzore në Policinë e Shtetit e ka kallëzuar Berberin menjëherë në AMP.
Berberi mbante gradën drejtues, krahas përjashtimit nga radhët e uniformave blu ai është kallëzuar dhe për kanosje.



