screenshot-7-1764449423

BBC  raporton se reshjet e dendura kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu në pjesë të Azisë Jugore, duke vrarë rreth 600 persona. Shirat e përkeqësuar nga stuhitë tropikale, sollën disa nga përmbytjet më të rënda të viteve të fundit, me miliona njerëz të prekur në Azinë Juglindore.

Reshjet intensive nisën në ishullin indonezian Sumatra të mërkurën. “Gjatë përmbytjes, gjithçka u zhduk,” tha një banor i Bireuen në provincën Aceh për agjencinë Reuters. “Doja të shpëtoja rrobat, por shtëpia u shemb.”

Me qindra njerëz që rezultojnë ende të zhdukur, numri i viktimave pritet të rritet akoma më shumë. Mijëra persona kanë mbetur të bllokuar, disa duke pritur ende të shpëtohen mbi çatitë e shtëpive.

Të shtunën e 29 nëntorit, u raportuan më shumë se 300 persona të vdekur në Indonezi dhe 160 në Tajlandë. U raportuan gjithashtu disa viktima në Malajzi.

Në Sri Lanka, që është goditur nga Cikloni Ditwah, mbi 130 persona kanë vdekur dhe rreth 170 janë të zhdukur.

Tragjedia në Indonezi

Një ciklon tropikal jashtëzakonisht i rrallë, i quajtur Cikloni Senyar, shkaktoi rrëshqitje katastrofike dheu dhe përmbytje në Indonezi, duke zhdukur shtëpi dhe duke përmbytur mijëra ndërtesa. Agjencia e fatkeqësive e Indonezisë tha të shtunën se gati 300 persona ishin ende të zhdukur pasi përmbytjet shkatërruan Sumatran.

“Rryma ishte shumë e shpejtë, për pak sekonda arriti në rrugë, hyri në shtëpi,” tha një banore e provincës Aceh, Arini Amalia, për BBC-në.

Ajo dhe gjyshja e saj vrapuan drejt shtëpisë së një të afërmi në terren më të lartë. Kur u kthyen të nesërmen për të marrë disa sende, ajo tha se përmbytja e kishte zënë plotësisht shtëpinë: “Tashmë është fundosur.”

Pas ngritjes së shpejtë të ujërave në Sumatrën Perëndimore, Meri Osman tha se e “mori rryma” dhe u kap pas një litarësh rrobash derisa u shpëtua.

Moti i keq ka penguar operacionet e shpëtimit, dhe megjithëse dhjetëra mijëra persona janë evakuuar, qindra të tjerë mbeten të bllokuar, tha agjencia e fatkeqësive e Indonezisë.

Situata në Tajlandë

Në provincën jugore Songkhla të Tajlandës, uji u ngrit deri në 3 metra dhe të paktën 145 persona humbën jetën në një nga përmbytjet më të rënda të dekadës.

Në 10 provincat e goditura nga përmbytjet, mbi 160 persona janë vrarë, tha qeveria të shtunën. Më shumë se 3.8 milionë njerëz janë prekur.

Qyteti Hat Yai përjetoi 335 mm reshje në një ditë të vetme, më të rëndat në 300 vjet. Ndërsa uji u tërhoq, autoritetet regjistruan një rritje të ndjeshme të numrit të viktimave.

Në një spital në Hat Yai, punonjësit u detyruan të zhvendosin trupat në kamionë frigoriferikë pasi morgu u mbingarkua.

“Ne mbetëm të bllokuar në ujë për shtatë ditë dhe asnjë agjenci nuk erdhi të na ndihmonte,” tha për BBC-në, banorja Thanita Khiawhom.

Qeveria ka premtuar masa ndihme, përfshirë një dëmshpërblim deri në dy milionë baht (62 mijë dollarë) për familjet që humbën të afërm.

Edhe Malajzia dhe Sri Lanka të prekura

Në Malajzinë fqinje, numri i viktimave është më i ulët, por dëmet janë po aq shkatërruese. Përmbytjet kanë lënë nën ujë pjesë të shtetit verior Perlis, me dy persona të vdekur dhe dhjetëra mijëra të strehuar.

Sri Lanka po përballet gjithashtu me një nga fatkeqësitë më të rënda natyrore të viteve të fundit, dhe qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

Më shumë se 15 mijë shtëpi janë shkatërruar dhe rreth 78 mijë persona janë detyruar të strehohen përkohësisht, thanë zyrtarët. Ata shtuan se rreth një e treta e vendit është pa energji elektrike ose ujë të rrjedhshëm.

Meteorologët kanë thënë se moti ekstrem në Azinë Juglindore mund të jetë shkaktuar nga ndërveprimi i Tajfunit Koto në Filipine dhe formimi i rrallë i Ciklonit Senyar në Ngushticën e Malacca-s.

Sezoni vjetor i musonëve në rajon, zakonisht midis qershorit dhe shtatorit, shpesh sjell reshje të dendura. Ndryshimet klimatike kanë ndryshuar modelet e stuhive, përfshirë intensitetin dhe kohëzgjatjen e sezonit, duke sjellë reshje më të forta, përmbytje të menjëhershme dhe erëra më të fuqishme.