-640-0-900-0-1727682003xklani-copja-750x438-340-1770108687

Është mbajtur sërish gjyqi rradhës ndaj Franc Çopjas, ndërsa avokatët kanë analizuar dhe krahasuar vrasjen e Ardit Spahiut në nëntor të 2020, për të gjetur ‘dorën’ e autorëve.

Nuk po gjykoni kriminelë të zakonshëm, por ushtarë në një luftë private”, u thanë dy avokatët e palës civile juristëve në Bruksel të hënën, të ngarkuar me detyrën për të gjykuar Franc Çopjan (Gergely), Mikael Qosjen dhe shtatë të pandehur të tjerë për vrasjen e Ardit Spahiu-t, shtetas shqiptar i ekzekutuar në Molenbeek më 27 nëntor 2020, raportojnë mediat e huaja.

Sipas avokates Virginie Taelman, mënyra e veprimit për vrasjen e Ardit Spahiut ishte e njëjtë me atë të vrasjeve të tjera të kryera në Shqipëri në vitet pas fillimit të konfliktit mes klanit Alibej dhe klaneve Çopja e Qosja, konflikt që ka nisur në vitin 2017 ose 2018.

“Makina, burra, armë dhe breshëri plumbash. Është gjithmonë e njëjta skemë, këtu apo atje”, e përmblodhi ajo. “Është e qartë se Ardit Spahiu u vra sepse ishte i afërt me klanin Alibej, pra klanin kundërshtar të klaneve Çopja dhe Qosja”.

Të hënë, pala civile i kërkoi jurisë të shpallë Franc Gergelyn dhe Mikael Qosjan fajtorë si urdhërdhënës të vrasjes. Ata janë dy “dhënësit e urdhrit” që kanë vepruar “mijëra kilometra larg” Brukselit. Sipas palës civile, ata kanë përgatitur një “ekzekutim të planifikuar me metodë” të Ardit Spahiut.

“Forca e drejtpërdrejtë nuk mjaftonte” për të vrarë armikun e tyre, i cili e dinte se ishte i kërcënuar, shtuan dy avokatet. Për të arritur qëllimin e tyre, ishte e nevojshme “tradhtia e një miku”, rol që, sipas tyre, e ka luajtur Elton Roci.

Duke u mbështetur në fragmente bisedash nga Sky ECC, avokatja Virginie Taelman e përshkroi Franc Gergelyn, i njohur si Çopja, si “motorin e vrasjes” dhe “arkitektin që firmos planet nga kulla e tij e fildishtë”, i motivuar nga hakmarrja e klanit të tij, egoja dhe mendjemadhësia.

Ajo e përshkroi Mikael Qosjan si “shefin e kantierit”, i cili kujdesej për “menaxhimin e informatorëve”.

Spahiu u qëllua me armë zjarri në një atentat më 27 nëntor 2020, ndërsa ndodhej si pasagjer në një automjet. Ai arriti të largohej fillimisht, por u ndoq në këmbë nga dy persona të maskuar, të cilët e ekzekutuan. Hetimi për vrasjen e Spahiut mori hov pas dekriptimit të platformës SKY ECC. Në fund u identifikuan nëntë të dyshuar, përfshirë Franc Gergelyn, figurë kyçe e klanit Çopja. Sipas policisë federale, ai dhe vëllezërit e tij vepronin nga Dubai dhe merreshin me trafik kokaine mes Amerikës së Jugut dhe Evropës.

Pas vjedhjes së 49 kilogramëve kokainë nga një apartament i klanit Çopja në Londër, dhuna mes dy grupeve kriminale u përshkallëzua. Dosja është e mbushur me vrasje me pagesë të kryera nga të dyja palët. Vrasja e Ardit Spahiut, i cili në vitin 2019 u arratis në Belgjikë nga frika për jetën e tij, konsiderohet si një vazhdim i konfliktit mes këtyre dy klaneve.