Detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore që çoi në goditjen e organizatës kriminale të drejtuar nga Salvatore Aliu, e cila sipas hetimeve furnizonte me lëndë narkotike grupet e lidhura me Sokol Bibaj, Eldi Dizdari dhe Armando Pacani.
Në dosje lexohen biseda të zhvilluara mes Salvatore (Shpëtim) Aliut dhe vëllait të tij, Isa Aliu, ku ata flasin për fitimet e mëdha që siguronin nga aktiviteti kriminal.
Një nga komunikimet e përgjuara mban datën 14 shtator 2020. Sipas dosjes, në orën 00:57:06, përdoruesi i PIN-it “RGICID”, i identifikuar si Salvatore Aliu, i shkruan PIN-it “L4O0JU”:
“Po lodheshe pakë shumë”,
“Duke numëru”,
“Po mos u mërzit”,
“S’ke çfarë bën”.
Pak sekonda më vonë, përdoruesi i PIN-it “L4O0JU”, që sipas hetuesve i përket Isa Aliut, përgjigjet:
“Po këtu të jetë e keqja ime, po s’mërzitem unë”.
Më tej, Salvatore Aliu vijon bisedën me shprehje që hetuesit i kanë përfshirë në dosje:
“Po të kishin bërë nga një vlla tjetër, asgjë s’do të lija ta bëje”,
“Nëse ishalla kështu të mallkofsha si sonte”,
“Mos pushofshe kurrë ishalla duke numëru lek”.
Sipas dosjes, referenca për “numërimin e lekëve” konsiderohet nga hetuesit si tregues i të ardhurave të konsiderueshme që siguroheshin nga trafiku i lëndëve narkotike.
Biseda vijon në orën 00:59:37, kur Isa Aliu i shkruan:
“Natën zemër, plaka ka fillu të tremet”.
Ndërsa Salvatore Aliu i përgjigjet:
“Pse?”,
“Për çfarë?”,
“Çfarë ka?”
Këto komunikime janë pjesë e provave të administruara në hetim, i cili dokumenton aktivitetin e organizatës kriminale të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge dhe furnizim të grupeve të ndryshme kriminale.



