Policia kontrolle dhe urdhër-arreste pas hetimeve për call center , masë sigurie edhe për Granit Pepnikaj
Granit Pepnikaj, emri i të cilit u përmend pas aksionit të zhvilluar kundër disa call center-ave në zonën e Rrugës së Kavajës në Tiranë, është rikthyer sërish në vëmendjen e autoriteteve.
Gazetarja Bleona Prengezaj raportoi për ABC News se Policia e Shtetit ka ushtruar kontrolle në disa banesa që dyshohet se lidhen me Pepnikajn ose persona të afërt me të.
Sipas burimeve, janë lëshuar disa urdhër-arreste në kuadër të hetimeve, ndërsa deri tani raportohet se janë ekzekutuar tre masa sigurie.
Po sipas të njëjtave burime, masë sigurie është lëshuar edhe për vetë Granit Pepnikajn.
Deri tani nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi akuzat konkrete apo statusin procedural të personave të përfshirë.
Emri i Pepnikajt u përmend edhe gjatë operacionit të zhvilluar javët e fundit kundër disa qendrave call center në Tiranë, të dyshuara për mashtrim ndaj qytetarëve europianë përmes investimeve të rreme online.
Gjatë atij operacioni, autoritetet sekuestruan qindra pajisje elektronike, kompjuterë, telefona celularë dhe shuma të konsiderueshme parash cash.
Autoritetet nuk kanë dalë ende me një reagim zyrtar mbi operacionin e fundit dhe shtrirjen e plotë të hetimeve. /abcnews.al



