Skandali i videove të publikuara së fundmi nga ambientet e burgjeve shqiptare, ku personazhe të njohur të botës së krimit shfaqen në shoqërinë e femrave, ka nxjerrë në pah një problem më të thellë se sa thjesht shkelja e rregullores: pabarazinë dhe korrupsionin sistemik brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit.
E ftuar në Syri Tv, avokatja Dea Toçi thotë se thelbi i çështjes nuk qëndron te takimet intime, por te fakti që këto janë privilegje të blera, të cilat i gëzojnë vetëm të ashtuquajturat “koka të krimit”.
Sipas saj, këto favore sigurohen përmes pagesave ndaj personelit apo drejtuesve të burgjeve, duke krijuar një sistem me dy standarde, ku paraja blen liri dhe komoditete edhe pas hekurave.
Avokatja ka zbuluar se mekanizmi ligjor që shfrytëzohet për të lejuar hyrjen e këtyre femrave është “kontrata noteriale e bashkëjetesës”.
Kjo kontratë, sipas saj, kalon pa një verifikim të mirëfilltë, pasi në disa raste të zbuluara, të dënuarit rezultojnë të jenë ligjërisht të martuar me persona të tjerë, çka e bën bashkëjetesën të paligjshme në një sistem ligjor që njeh familjen monogame.
Si zgjidhje për t’i dhënë fund këtij sistemi të korruptuar dhe diskriminues, avokatja ka hedhur një propozim radikal, të bazuar në praktikat e disa vendeve europiane si Spanja dhe Holanda.
Propozimi konsiston në krijimin e një politike më liberale, ku shteti mund të lejonte në mënyrë të kontrolluar takime intime për të gjithë të dënuarit, madje duke ofruar mundësinë e zgjedhjes së prostitutave “me katalog” për ata që janë beqarë.
Një qasje e tillë, sipas saj, do të eliminonte nevojën për ryshfet, do të vendoste barazi mes të dënuarve dhe do të ishte një hap drejt një sistemi më human, edhe nëse ato fillimisht duken të papranueshme.
Avokatja Dea Toçi: Të mos lejojë të përdhoset përgjithësisht, nuk po flas në emra të veçantë, sepse emrat e veçantë kanë çdo lloj sektori. Pra ka dhe nga raca e avokatisë, ka dhe nga raca e psikologjisë, ka dhe nga raca e gazetarisë, pra në çdo radhë personash mund të ketë edhe nga këto mollë të kalbura që pastaj tentojnë të prishin të gjithë shportën. Nejse nuk është se ne e dimë që s’ka kalbur. Gjithsesi ta mbroj profesionin tonë që kalon, ndërsa unë jam çdo ditë në punë.
Edhe ai është shprehur saktësisht që këto video janë bërë nga vetë personazhet. Pra do të thotë që ata kanë patur telefona brenda dhe kanë filmuar momentet. Pikërisht, pra nuk bëhet fjalë për kamera që janë kapur nga ambientet e burgjeve, kamera që janë vendosur për sigurinë e të tjerë e të tjerë. Mund të jenë video që ata i kanë bërë me telefon. Nuk do të doja të diskutoja emra konkret, edhe pse përbën lajm emri në këtë rast, nuk përbën lajm veprimi.
E përbën lajmin për mua më saktë, ajo që mua më shqetëson është pabarazia që vijon të jetë edhe në institucionet e ekzekutimit të veprave penale, siç është edhe jashtë. Pabarazia, sepse këto favore i kanë vetëm ato që quhen koka krimi, të cilët kanë mundësi të paguajnë.Po, dhe kjo është pabarazia për mua, pra ata kanë, kanë mundësinë të paguajnë, qoftë drejtorin, qoftë personel të burgut, unë nuk e di se kë paguajnë shprehimisht.
Ato vajza nuk mund të futen në mënyrë të ligjshme, pra, sigurisht që është bërë një kontratë noteriale në formë bashkëjetese që kanë hyrë, kjo kontratë ka kaluar e paverifikuar mirë, se po të verifikohet disa nga këta emra që kanë dalë, janë të martuar. Ti je i martuar, ti nuk mund të futesh një bashkëjetuese ligjërisht flas, sepse ne jemi te familja monogame pra në Shqipëri, kështu që nuk mund të, brenda burgjeve të kemi një ligj tjetër. Ndaj them që kalojnë në mënyrë të jashtëligjshme.
Por ajo që mua nuk më pëlqen, është që thashë, ka disa persona që kanë mundësi të paguajnë edhe i marrin këto favore, ndërkohë ka disa persona të tjerë të cilët u takon, të cilët mund të jenë dhe beqarë, kanë nevojat e tyre fiziologjike, psikologjike, të cilat shteti nuk ua plotëson dhe nuk i ndihmon që t’i plotësojnë. Pra mendoj që përgjithësisht duhet të ketë një politikë më liberale për personat e burgosur, të dënuar, se të paraburgosurit nuk kanë mundësi për të kryer këto takime ligjërisht gjithmonë, që të kenë mundësi edhe të takojnë, qoftë edhe ata që janë beqarë, të kenë mundësi për të përmbushur nevojat që mund të ketë një person në këto vende.
Në shumë vende të Europës janë bërë disa, le ta quaj, eksperimente kohë pas kohe, në Spanjë, në Holandë, ku pikërisht personat e dënuar kanë patur mundësinë e zgjedhjes me katalog të vajzave, të ashtuquajtura prostituta, për të zgjedhur, ata që janë beqarë gjithmonë, për të kaluar ato momentet e tyre brenda institucioneve të burgut. Pra nëse ne e zgjedhim Europën për disa arsye, duhet ta, duhet t’i marrim edhe të mirat, edhe ato që ne ndoshta nuk na pëlqejnë. E them këtë pikërisht thashë, mua nuk më përbën fare as lajm, as interes se kush ka takuar kë në burg.



