IMG_2294

 

Mbledhja e përbashkët mes qeverisë dhe grupit parlamentar të Partisë Socialiste, e zhvilluar dje, është shoqëruar me një përplasje të fortë mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit socialist Erion Braçe.

Sipas burimeve, shkak i debatit është bërë mënyra se si u miratuan dhe u votuan në Kuvend anëtarët e Komisionit të Prokurimit Publik (KPP). Braçe ka kundërshtuar faktin që deputetëve socialistë u ishin kërkuar votat për kandidatë që, sipas tij, nuk i njihnin dhe për të cilët nuk kishte pasur diskutim paraprak.

“Votuam njerëz që nuk i njohim. Na i sillni gjërat gati dhe kërkoni të votojmë me sy mbyllur”, mësohet të ketë thënë Braçe gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura.

Kundërshtimi ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Ramës, i cili mësohet se është përgjigjur: “Ata janë verdikti i qeverisë. Ç’të bëj që na e kërkon BE-ja? Se nuk e sillnim fare në Kuvend.”

Por debati nuk është mbyllur këtu. Braçe ka vijuar të kundërshtojë kryeministrin, ndërsa Rama ka reaguar ashpër ndaj tij.

“Qepe gojën. Mos fol mbi mua. Ik pirdhu”, mësohet t’i jetë drejtuar kryeministri deputetit socialist.

Pas përplasjes, Rama ka lëshuar edhe një paralajmërim që nuk dukej se i drejtohej vetëm Braçes, por të gjithë grupit parlamentar: “Do bëj ndonjërin shembull. Se deri tani kam menduar që nuk ju punojnë mirë neuronet.”

Debati Rama-Braçe ka qenë momenti më i tensionuar i mbledhjes së djeshme, ndërsa deputetët e tjerë socialistë kanë preferuar të mos ndërhyjnë në përplasjen mes tyre.

Në mbledhje ka rënë në sy edhe heshtja e Elisa Spiropalit. Në takimin e mëparshëm të grupit parlamentar, ajo ishte përplasur publikisht me Ramën, i cili e kishte paralajmëruar: “Herën e parë nuk erdhe në votim, herën e dytë bëre çarçafin dhe herën e tretë nuk ka, del jashtë këtij grupi.”

Këtë herë, ish-kryetarja e Kuvendit ka zgjedhur të mos ndërhyjë gjatë debatit. Edhe pse javët e fundit është shfaqur aktive në debatet politike, gjatë përplasjes së fortë mes Ramës dhe Braçes ajo ka qëndruar në heshtje.

Përplasja nxori në pah tensionet që ekzistojnë brenda grupit socialist, pavarësisht mesazhit të unitetit që u përcoll publikisht nga mbledhja. Veçanërisht deklarata e Ramës se “do bëj ndonjërin shembull” u interpretua si një paralajmërim ndaj zërave kritikë brenda mazhorancës.

Pas përplasjes së mëparshme me Spiropalin dhe debatit të djeshëm me Braçen, sinjali që vjen nga mbledhjet e fundit të socialistëve është ai i një disipline gjithnjë e më të fortë që Rama kërkon brenda grupit parlamentar, ndërsa kundërshtimet ndaj vendimeve të qeverisë kanë nisur të dalin gjithnjë e më hapur në sipërfaqe.