rama

Ndërkohë që në opinionin publik po shtohen zërat mbi emrat e rinj që pritet të përfshihen në kabinetin e qeverisë Rama 4, Këshilli i Ministrave ka miratuar sot vendimet e para për ndryshime në nivelet drejtuese.

Me propozim të Kryeministrit Edi Rama, janë liruar nga detyra tre zëvendësministra: Ilva Gjuzi, zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit, Ceno Klosi, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Romina Kuko, zëvendësministre e Brendshme.

Të tre ish-zëvendësministrat janë fitues të mandateve të deputetit me Partinë Socialiste dhe pritet të ulen në Kuvend në përbërjen e re parlamentare.

Sipas vendimeve të publikuara, lirimi i tyre nga detyra hyn në fuqi menjëherë dhe është botuar në Fletoren Zyrtare.

Këto lëvizje shënojnë hapin e parë në një proces më të gjerë ndryshimesh që pritet të prekë kabinetin qeveritar në javët e ardhshme. /gazetajone