Hapësira ajrore në veri të Kosovës është alarmuar pasi janë pikasur dronë serbë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka bërë të ditur se ditëve të fundit ka pasur fluturime të dronëve në hapësirën ajrore të Kosovës. Sipas tij, dyshohet se dronët vijnë nga Serbia dhe se për këtë kanë njoftuar KFOR-in që ka nën përgjegjësi hapësirën ajrore të Kosovës.
“Gjatë ditëve të fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që vijnë nga territori i Serbisë, në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR-in dhe jemi duke e bërë monitorimin se çfarë mund të bëhet. Është e rrezikshme për pjesën e kufirit por për qytetarët tanë jo. Ne jemi duke i mbrojtur. Ndërsa hapësira ajrore është përgjegjësi e KFOR-it, ne e kemi njoftuar KFOR-in dhe partnerët tanë. KFOR-i, është përgjegjësi e tyre dhe janë duke punuar në këtë drejtim”, ka thënë drejtori i Policisë.
Ai ka theksuar se rreziku ekziston për pjesën e kufirit, por jo për qytetarët, të cilët sipas tij janë të mbrojtur nga institucionet.
“Është e rrezikshme për pjesën e kufirit po, por për qytetarët tanë jo, ne jemi duke i mbrojtur po ashtu. Ndërsa hapësira ajrore është përgjegjësi e KFOR-it”, u shpreh Hoxha.
Ndërkohë, të mërkurën, edhe Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte njoftuar se ka cënim të hapësirës ajrore nga dronë që dyshohet se vijnë nga Serbia.



