Gazetari Elton Qyno, ka ngritur akuza të forta mbi funksionimin e skemave mashtruese përmes call center-ave dhe rolin e institucioneve shqiptare në këtë fenomen.
I ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, sipas Qynos, mijëra të rinj janë përfshirë në skema mashtrimi që targetojnë qytetarë jashtë vendit, duke përdorur databaza të mëdha me të dhëna personale, të siguruara në mënyrë të paligjshme.
Gazetari ngriti pikëpyetje mbi reagimin e institucioneve shqiptare, duke sugjeruar se mungesa e ndërhyrjes lidhet me faktin që viktimat janë jashtë vendit dhe nuk ka denoncime direkte në Shqipëri. Sipas tij, kjo ka krijuar një klimë tolerance, ku aktiviteti i paligjshëm vazhdon ndërkohë që të rinjtë punësohen dhe gjenerojnë të ardhura.
Qyno shkoi më tej, duke aluduar për përfitime të mundshme nga struktura të ndryshme shtetërore, përfshirë policinë dhe administratën tatimore, të cilat sipas tij mund të jenë në dijeni të aktivitetit.
‘Shiko, këtu ka një, që t’ia lajmë borxhet dhe të tjerëve. Ngrihen 30 mijë të rinj edhe fillojnë e mashtrojnë. Kush e ha, e ha, kush s’e ha, vazhdohet me tjetrin, radhazi. E kanë një database shumë të madhe që e kanë arritur e kanë marrë nëpër këto bankat, kush ka llogari bankare jashtë edhe fillojnë këta telefonatat pafund.
Por puna është që çfarë bëjnë institucionet shqiptare, sepse ata e dinë që të gjithë që kjo është gjë e paligjshme. Dhe fakti që këta i kanë përfaqësuar këtë skemë dhe e kanë sjellë këtu, kjo tregon që përderisa shqiptarët nuk preken nga kjo histori mashtrimi, dhe këta mashtrojnë jashtë, le të vazhdojnë, domethënë, e kupton? Dhe punësohen të rinjtë tanë.
Kjo është politika dhe filozofia e vetë qeverisë, të paktën sa e kuptojmë. Ë, mashtrohen jashtë shtetit, s’ka denoncime këtu në Shqipëri. Ë, punohen të rinjtë, janë mirë me lekë, janë që të gjithë po punojnë. Ë, policia apo vetë e merr dhe haraçin e vet. Tatimet po ashtu, edhe struktura të tjera.
Pra të gjithë janë të kënaqur.
E emëroi qeveria. Ky u bë këshilltar i Olta Xhaçkës te Ministria e Mbrojtjes në atë kohë, edhe u hoq prej andej vetëm për shkak të presionit të medias’, u shpreh ndër të tjera gazetari Qyno.



