Screenshot 2026-07-09 at 11.19.36 AM

Prej më shumë se një muaji, mijëra shqiptarë protestojnë çdo ditë në Tiranë kundër ndërtimit të një resorti luksoz në jug të vendit, pranë një zone të mbrojtur, projekt që lidhet me kompaninë e Jared Kushner, bashkëshorti i Ivanka Trump dhe dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump.

Protestat, të nisura si kundërshtim për çështjet mjedisore, janë kthyer më pas edhe në protesta kundër qeverisë socialiste të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Në një intervistë për gazetën italiane “Corriere della Sera”, Rama ka deklaruar se në fillim protestat i kujtuan lëvizjen studentore të vitit 2018, pasi sipas tij përfshinin njerëz të ndryshëm me shqetësime reale.

“Fillimisht më kujtoi protestën studentore të vitit 2018: njerëz të ndryshëm, arsye të ndryshme, shqetësime të sinqerta dhe një mesazh që e mora seriozisht. I dëgjova dhe vazhdoj t’i dëgjoj.”

Por sipas kryeministrit, me kalimin e javëve protesta ka ndryshuar natyrë.

“Sot nuk është më vetëm një shqetësim qytetar për mjedisin. Është kthyer edhe në një protestë politike, e marrë në dorë nga një koalicion opozitar, aktorë politikë dhe rrjete nga jashtë vendit, që kanë një objektiv të përbashkët: goditjen e qeverisë. Këtu ka edhe një dimension global”, ka theksuar ai.

Kreu i qeverisë është ndalur edhe te përfshirja e emrit të Donald Trump në këtë çështje.

“Emri Trump nuk është thjesht emri i një investitori në këtë histori. Ai është një nga burimet më të mëdha të debatit dhe zemërimit në botën digjitale. Kudo që shfaqet Trump, aktivizohen menjëherë forca politike, mediatike dhe dixhitale pro dhe kundër tij”, deklaroi Rama.

Sipas tij, për shkak të këtij projekti, Shqipëria është kthyer në një arenë ku përplasen kundërshtarët globalë të Trump-it me mbështetësit e tij.

“Debati i vërtetë shqiptar për mjedisin, zhvillimin dhe ligjin shpesh mbulohet nga ky zhurmë e importuar. Kjo nuk zhvlerëson asnjë qytetar të sinqertë që proteston. Por unë kam detyrimin të dalloj mes qytetarit që shqetësohet për natyrën dhe atyre që kërkojnë ta përdorin Shqipërinë si skenë për betejat e tyre”, u shpreh kryeministri.

Për kërkesat e protestuesve që qeveria të ndalojë projektin në Zvërnec, Rama tha se aktualisht nuk ka asgjë konkrete për t’u bllokuar.

“Qeveria nuk ka çfarë të bllokojë, sepse ende nuk ekziston një projekt përfundimtar. Nuk ka leje ndërtimi. Nuk ka kantier. Nuk ka një vendim final mbi të cilin mund të thuhet: ndalojeni. Kërkesa për anulimin e një projekti që ende nuk ekziston në formën e tij përfundimtare është një kërkesë politike, jo një vendim qeveritar”, u shpreh ai.

Shtoi se qeveria po pret projektin përfundimtar dhe se synimi është që ai të jetë një model ku turizmi dhe mbrojtja e natyrës të bashkëjetojnë.

“Shpresoj të jetë një projekt i jashtëzakonshëm, me arkitektë, urbanistë, inxhinierë mjedisorë, ekspertë të biodiversitetit dhe standarde europiane të nivelit më të lartë. Ambicia ime nuk është të bëhet thjesht një tjetër resort, por një model i ri zhvillimi ku turizmi dhe natyra nuk përjashtojnë njëri-tjetrin”, tha ai.

I pyetur nëse ka frikë nga reagimi i administratës amerikane apo nga presioni publik, Rama u përgjigj:

Jo. Nuk kam frikë as nga administrata amerikane, as nga rrjetet sociale, as nga turma. Kam një përgjegjësi ndaj Shqipërisë. Kriteri nuk do të jetë emri i investitorit, as zhurma globale pro ose kundër Trumpit. Kriteri do të jetë vetëm një: a i plotëson projekti standardet ligjore, mjedisore, arkitekturore dhe strategjike që meriton Shqipëria europiane? Nëse po, vazhdon. Nëse jo, nuk vazhdon.

Rama pranoi se disa nga deklaratat e tij mund të kenë lënduar qytetarë që protestojnë për arsye mjedisore.

“Nëse ndonjë fjalë e imja ka lënduar njerëz të sinqertë që protestojnë për shqetësimin ndaj natyrës, më vjen keq. Por nuk pranoj të barazoj qytetarët e sinqertë me propagandën politike, llogaritë anonime, shpifjet apo ata që prodhojnë histeri”,nënvizoi ai.

Sipas Ramës, shumë prej pretendimeve që qarkullojnë në rrjetet sociale nuk përputhen me realitetin.

“Nuk ka nisur asnjë ndërtim. Nuk ka shitje të Sazanit. Nuk ka betonizim të lagunës. Nuk ka asgjë nga apokalipsi që qarkullon çdo ditë në rrjetet sociale. Ka vetëm një proces të mundshëm zhvillimi turistik, i cili do të shqyrtohet mbi bazën e ligjit, studimeve mjedisore dhe standardeve ndërkombëtare.”

Për kërkesën e protestuesve që projekti të ndalet për shkak të reagimit qytetar, Rama tha se shteti nuk mund të drejtohet nga presioni i rrjeteve sociale.

“Reagimi popullor duhet dëgjuar. Por shteti nuk mund të qeveriset me telekomandën e rrjeteve sociale. Nëse çdo proces ndalet sapo krijohet një stuhi digjitale, atëherë nuk kemi më ligj, ekonomi apo institucione. Kemi vetëm frikë. Dhe frika nuk është politikë publike”, u shpreh ai.

Për kërkesat për dorëheqjen e tij, Rama tha se vendimin e marrin qytetarët përmes zgjedhjeve.

“Dorëheqjet në demokraci nuk vendosen nga megafonët, por nga institucionet dhe qytetarët me votë. Kush mendon se duhet të largohem, ka të drejtë të organizohet, të garojë dhe të fitojë zgjedhjet. Ultimatumet nuk janë demokraci.”

Numri një i kabinetit pranoi se ekziston pakënaqësi në shoqëri, duke thënë se fitorja elektorale nuk është një vaksinë kundër saj.

“Mandati nuk është licencë për vetëkënaqësi. Ka një fenomen të njohur në politikë: kur një vend përmirësohet, qytetarët bëhen më pak tolerantë ndaj gjërave që ende nuk funksionojnë. Kjo është shenjë që shoqëria nuk është dorëzuar”, tha Rama.

I pyetur nëse protestat janë më shumë kundër projektit apo kundër qeverisë, ai tha: Ato nisën si shqetësim për projektin. Sot janë edhe protestë politike kundër qeverisë. Opozita ka të drejtë të protestojë. Problemi lind kur mjedisi përdoret si veshje për një betejë pushteti që nuk ka lidhje me flamingot, lagunën apo ligjin.

Rama foli edhe për pretendimet për ndërhyrje të huaja, duke sqaruar se bëhet fjalë për ndërhyrje dixhitale.

“Po flas për ndërhyrje digjitale, jo për qytetarët që dalin në bulevard. Këto janë dy gjëra të ndryshme. Kemi parë amplifikim artificial nga jashtë, përdorim masiv të VPN-ve, llogari anonime dhe platforma të lidhura me ekosisteme propagandistike.”

Në lidhje me akuzat për korrupsion, pensionet e ulëta, problemet në shëndetësi dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë, Rama tha se disa prej tyre janë probleme reale.

“Pensionet janë ende të ulëta. Shëndetësia ka ende plagë të hapura. Pasiguria ligjore nuk zhduket me një ligj. Të rinjtë kërkojnë më shumë dhe kanë të drejtë. Por Shqipëria e sotme nuk është ajo e dikurshmja. Pagat janë rritur, punësimi është rritur, ekonomia është më e fortë, drejtësia po prek njerëz që më parë ishin të paprekshëm dhe vendi është më afër Bashkimit Europian se kurrë më parë.”

Për raportet ndërkombëtare mbi korrupsionin, ai tha se mbështetet më shumë te raporti i progresit të Komisionit Europian. “Për herë të parë në Shqipëri drejtësia po heton ministra, kryetarë bashkish, deputetë, biznesmenë dhe njerëz me pushtet. Kjo nuk është fundi i korrupsionit, por është fillimi i fundit të paprekshmërisë”, deklaroi ai.

Në mbyllje, Rama tha se qeveria do të ofrojë transparencë dhe dialog.

“Zgjidhja nuk mund të jetë: ndalo gjithçka sepse kështu kërkoj unë. Zgjidhja është: kontrollo gjithçka, korrigjo atë që duhet korrigjuar, ndalo atë që bie ndesh me ligjin dhe interesin publik, dhe lejo atë që i shërben vendit”, përfundoi kryeministri.