-1000-0-1756892759ximg-2791-856

Kryeministri Edi Rama deklaroi mbrëmjen e djeshme se megjithëse është i kënaqur me shifrat e prurjeve turistike, nuk mund të fshehë pakënaqësinë për disa fenomene që shoqëruan sezonin. Ai theksoi se problemi kryesor mbetet raporti mes çmimeve dhe shërbimit, duke kritikuar sipërmarrësit për mungesën e një plani afatgjatë.

“Jam i pakënaqur me disa fenomene të sezonit turistik, por jo me prurjet. Problemi është raporti shërbim–çmim. Shumë prej sipërmarrësve sillen me investimin e tyre sikur është dita e fundit, vendosin çmime që nuk përputhen me nivelin e shërbimit dhe harrojnë se vitin e ardhshëm do të kenë më pak klientë”, tha Rama.

Kryeministri e quajti “budallallëk” mënyrën si një pjesë e bizneseve, veçanërisht në jug, kanë hedhur kursimet e jetës në restorante e resorte, por i menaxhojnë pa strategji të qëndrueshme. “Nëse nuk bëjnë plan biznesi, pas 2–3 vjetësh do të qajnë. Kanë fëmijët e tyre që i kanë shkolluar jashtë, por nëse vazhdojnë kështu, do t’u lënë gërmadha”, paralajmëroi Rama.

Në një debat me gazetarin Blendi Fevziu, i cili nënvizoi se çmimet e larta të shoqëruara me shërbim të dobët i bëjnë vizitorët e huaj të ndihen të zhgënjyer, Rama pranoi se kjo është një shqetësim real, por u kërkoi sipërmarrësve të shohin përtej një sezoni. “Ata nuk duhet të mendojnë për mua apo për ty, por për të ardhmen e investimit të tyre pas 5 apo 10 vjetësh. Në Itali, Kroaci, Bullgari, bizneset planifikojnë. Edhe këtu duhet e njëjta qasje, përndryshe konkurrenca do t’i mposhtë”, tha ai.

Sipas Ramës, sfida për turizmin shqiptar nuk është vetëm tërheqja e vizitorëve, por ruajtja e tyre përmes çmimeve të arsyeshme dhe shërbimit cilësor. Ai këmbënguli se pa një vizion të qartë, asnjë investim nuk mund t’i mbijetojë konkurrencës rajonale.