Kryeministri Edi Rama publikoi një video në rrjetet sociale për të përkujtuar 26 majin e vitit 1996, një nga datat më të debatueshme të tranzicionit shqiptar, e lidhur me zgjedhjet parlamentare të asaj kohe dhe akuzat për manipulim, tensione politike dhe protesta të opozitës. Në videon e shpërndarë, Rama krahason Shqipërinë e vitit 1996 me Shqipërinë e sotme, duke theksuar ndryshimet dhe zhvillimet e vendit gjatë afro tre dekadave të fundit.
“Shqipëria e 1996, dhe ku është Shqipëria sot! Dhe me një datë që flet për dy botë, ju uroj një ditë të mbarë!”, shkruan Rama krahas videos së publikuar.
Por ironia politike qëndron në faktin se vetë Edi Rama, përmes strategjisë së tij politike, vazhdon ta mbajë Sali Berishën në krye të opozitës. Vetëm një javë më parë, PS dhe PD bashkuan votat për rezolutën për integrimin europian, në një moment që për shumëkënd konfirmoi jo vetëm pazaret e dukshme mes palëve, por edhe ato të padukshme që prej vitesh mbajnë në këmbë ekuilibrin Rama-Berisha në politikën shqiptare.



