IMG_6913

Partia Socialiste synon të luftojë nepotizmin dhe klientelizmin në radhët e administratës publike duke krijuar një komision etike.

Projekti u prezantua përpara grupit parlamentar në prezencën e Edi Ramës dhe detajet i dha kryetari grupit Taulant Balla.

Balla theksoi rëndësinë e ndarjes së qartë mes funksionit politik dhe lidhjeve familjare.

Ai deklaroi se anëtarët e familjes së deputetëve të Partisë Socialiste nuk duhet të kenë angazhime në administratën publike, duke shtuar se kushdo që ndodhet në këtë situatë duhet të shkëputet nga ky pozicion.

“Po marr shembullin: unë jam një deputet i zgjedhur i Partisë Socialiste, duhet të jetë shumë e qartë për të gjithë ata që janë rrethi familjar i imi që nuk kanë punë me administratën publike. Fatmirësisht nuk e kanë këtë hall por kushdo që e ka këtë hall duhet të shkëputet nga ky hall”, u shpreh Taulant Balla.

Komisioni i etikës brenda PS do të drejtohet nga Lindita Nikolla dhe anëtarë Kiduina Zaka, Erjon Malaj, Marjana Koceku dhe Ermal Elezi.