Qeveria shqiptare duket mjaft e kënaqur me aksionin e policisë ndaj protestuesve. Aq sa nuk ka pritur as të nesërmen për ta kthyer në vendim premtimin e Edi Ramës: 2.500 euro shpërblim për çdo efektiv të angazhuar.
Vendimi u miratua të hënën, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, në mbështetje të ligjeve “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, “Për buxhetin e vitit 2026” dhe “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuara.
Sipas vendimit, 2.750 punonjës të Policisë së Shtetit do të përfitojnë një shpërblim financiar prej 269.120 lekësh secili, për angazhimin e shtuar në garantimin e rendit dhe të sigurisë publike.
Për 2.750 policë, buxhetit të shtetit i faturohen plot 740 milionë e 80 mijë lekë. Paratë dalin nga fondi rezervë. Pra, nga xhepat e qytetarëve.
Me pak fjalë, qytetarëve u takon të paguajnë edhe shpërblimin për policinë që i rrahu. Edhe shkopin, edhe faturën!



